Mustafa Flet për Vitin e Qeverisjes që i Shkoi me Protesta

Në njëvjetorin e qeverisjes, Kryeministri Mustafa u lavdërua për punën e tij dhe kabinetit qeveritar që drejton.

Mustafa tha se gjatë këtij viti të qeverisjes Kosova është fuqizuar në aspektin ndërkombëtar.

“Vlerësojmë që e arritur e madhe është marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Marrëveshja për Stabilizim-Asociim na ka mundësuar të kemi qasje në tregun evropian,” tha Mustafa në një konferencë për shtyp.

Kosova nënshkroi marrëveshje me FMN-në në vlerën e 185 milionë eurove më 9 qershor të këtij viti, ndërsa MSA-ja me BE-në u nënshkrua më 27 tetor.

Mustafa në konferencë foli edhe për investimet gjatë kohës sa po drejton qeverinë.

Fushat kryesore ekonomike që i keni përkrahur këtë vit ka qenë bujqësia me mbi 50 milion euro subvencione e grante. Ndërtimet infrastrukturorë kemi investu në autostradën për Shkup. Do të investojmë në hekurudha, kemi nënshkruar kontratën për Brezovicën, etj. Në projektin e Brezovicës dhe me përfundimin e tij presim të punësohen rreth 3 mijë deri 4 mijë punëtorë,” Tha Mustafa.

Kryeministri tha se edhe në shëndetësi do të ketë investimi gjatë qeverisjes së tij deri në 60 milionë euro, ndërsa investimet nga jashtë i vlerësoi 46 për qind më të larta se në vitin 2013.

Mustafa foli edhe për protestat që e shoqëruan që nga fillimi i mandatit të tij. Tha se prej fillimit ka pasur protesta për Jabllanoviqin dhe për pastaj për dy marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

Pati porosi edhe për opozitën.

“Ekziston rrugëdalja është gjykata që vlerëson. Opozita duhet të heqë dorë nga dhuna. Duhet të gjejmë zgjidhje në parlament ku zhvillohet debati dhe ku merren vendimet dhe ku respektohen qytetarët,” tha Mustafa.

Ai u shpreh i bindur se gjatë mandatit të tij do ta arrijnë të hapin rreth  120 mijë vende të punës ashtu siç e kishte premtuar në fushatë.