Pamje nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme - foto: KALLXO.com

Mustafa e Tahiri Pritet të Thirren në Interpelancë për Veriun

Pas diskutimit mbi njëorësh për situatën aktuale në Mitrovicë, anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme u dakorduan në parim që t’i thërrasin në interpelancë kryeministrin Isa Mustafa e ministren për Dialog, Edita Tahiri.

Veç kësaj, anëtarët e këtij Komisioni kërkuan që ata (kryeministri Mustafa dhe ministrja Tahiri) të raportojnë me shkrim, duke shtuar se në situata të tilla ky raportim duhet të jetë i detyrueshëm; si dhe t’i ftojnë për raportim edhe në Komision, ku bashkë me këtë t’ua sjellin të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Por, gjatë kohës së diskutimit, tre anëtarët e Komisionit nga opozita kërkuan edhe ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë, për të cilën nuk u pajtua kryetari i Komisionit.

“Me i propozu Kuvendit me u ndërpre bisedimet me Serbinë dhe me formu ni komisioni ad hoc të shqyrtimit të të gjitha marrëveshjeve me Serbinë”, tha Zafir Berisha nga NISMA.

Por, kryetari i Komisionit, Elmi Reçica, tha se ndërprerjen e bisedimeve nuk mund ta kërkojnë, por tha se muri i ndërtuar në veri është i paligjshëm dhe se anëtarët e Komisionit mund të kërkojnë që të zbatohen ligjet e Kosovës.

“Nuk besoj që ne mund të kërkojmë që të ndërpriten bisedimet. Mund të kërkojmë nga ta të raportojnë me gojë dhe me shkrim”, tha ai.

Reçica tha se është i vetëdijshëm që strukturat paralele ende nuk janë shuar të gjitha, por se janë shuar pjesa dërrmuese dhe se “problemi me Serbinë nuk ka nisë që 5 vjet, por qe 100 vjet”.

Ndërprerjen e bisedimeve e kërkoi edhe deputetja e Vetëvendosjes, Puhie Demaku.

“Ju z. kryetar thatë se nuk na bënë nder ndërprerja e Bisedimeve. Ne nuk na bënë nder një Kryeministër që thotë se nuk tregoj gjoks e muskuj përballë Serbisë, por tregon forcë e muskuj përballë opozitarëve në Prishtinë. I domosdoshëm pezullimi i menjëhershëm i këtij procesi”, tha ajo.

E rishikimin e të gjitha marrëveshjeve e kërkoi deputeti  i AAK-së, Pal Lekaj, i cili tha se është i habitur se si nuk kanë asnjë informacion, siç u shpreh “se si është ndërtuar ai mur dhe më habitë fakti që nuk kemi marr asnjë informatë se si do të bëhet rivitalizimi i urës”.

“Duhet të rishikohet formati i këtyre njerëzve që rrinë në Bruksel, dhe thonë ia bëmë Serbisë 5:0, 4:0, 3:0”, tha Lekaj.

“Po ju them ministres Tahiri e kryeministrit Mustafa se bukur vështirë e kanë ta rrënojnë atë mur, të cilin vet e kanë ndërtu”, theksoi Lekaj.

Blerta Deliu e PDK-së tha se ky ndërtimi i këtij muri ka prekur rëndë sovranitetin e vendit.

“Mendoj që duhet të ketë transparencë na raportim, institucionet gjegjëse duhet të tregojnë se çka po ndodhë. Ky mur ka prekë sovranitetin e vendit dhe mendoj se këtë çështje duhet ta dërgojmë në Kuvend dhe atje të kërkojmë transparencë”, tha Deliu.

Ajo propozoi që të kërkojnë nga institucionet përgjegjëse projektin e detajuar të asaj pjese, me të cilin mendim u pajtua edhe deputetja Puhie Demaku.

Transparencë, por jo ndërprerje bisedimesh me Serbinë kërkoi edhe deputetja tjetër e PDK-së  Luljeta Veselaj – Gutaj.

“Nuk do mend që situata në Mitrovicë është e rënduar. Mendoj që bisedimet duhet të vazhdojnë, por marrëveshjet të jenë transparente. Të kërkojmë raport më të detajuar të ministres Tahiri më shkrim”, tha ajo.

Pas përfundimit të Komisionit, i pyetur pse këto tri pika nuk u votuan, kryetari Elmi Recica tha se për to u dakorduan të gjithë anëtarët dhe se nëse është nevoja do të votohen në mbledhjen e radhës.

Për murin që u ndërtua në fillim të muajit në pjesën veriore të Mitrovicës, ministrja Edita Tahiri kishte kërcënuar se Qeveria e Kosovës do ta ndalonte dhe do ta rrënonte.

http://kallxo.com/tahiri-qeveria-e-kosoves-ta-rrenoje-murin-ne-mitrovice/

Më 8 dhjetor, Qeveria e Kosovës i ka ndalur punimet në ndërtimin e murit.

http://kallxo.com/ndalen-punimet-te-muri-ibrit/

Ndërsa, pardje, kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, kur foli për KALLXO.com tha se muri i ndërtuar në veri do të zvogëlohet.

http://kallxo.com/rakiq-muri-te-zvogelohet/