Përplasje mes deputetes Musliu- Shoshi dhe ministres Gërvalla, shkak paga e Gani Jakupit

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu- Shoshi dhe ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvlla kanë debatuar sot në mbledhjen e Komisionit parlamentar lidhur me pagën e këshilltarit të jashtëm, Gani Jakupi.

Deputetja Musliu- Shoshi tha se në kohën sa ka qenë PDK në pushtet nuk janë pagu këshilltarë nga 7 mijë e 500 euro.

Ajo kërkoi nga Gërvalla të përgjigjet konkretisht në pyetjen e saj për pagën e Jakupit.

“Ne nuk kemi pagu këshilltarë të jashtëm ka 7 mijë e 500 euro, nëse këto janë të pavërteta na trego tani. Pse nuk u kthen përgjigje mediave dhe neve, unë te kam kërku zyrtarisht sa këshilltarë të jashtëm, sa paguhen, etj. A paguhet Gani Jakupi 7,500 euro në muaj?”- tha ajo.

Pas kësaj deklarate, ministrja Gërvalla mori fjalën dhe akuzoi deputeten Musliu- Shoshi se po gënjen.

“Nuk bëni asnjë gjë tjetër përveç që shfrytëzoni mikrofonin për të shpërndarë gënjeshtra”- tha Gërvalla.

Ndërsa për çështjen e pagës dhe angazhimit të Gani Jakupit tha se ai nuk paguhet me pagë mujore.

“Jam shumë krenare që me këtë shumë modeste që nuk është pagë mujore që është shumë modeste megjithë dokumentacionin që kam parë për lobim. Në vend që të hidhet baltë mbi personalitete të shquara mbi artistë që janë të gatshëm të angazhohen për Kosovën, do të duhej ky vend t`i falënderojë. Ai nuk është këshilltar i imi, ai ka një kontratë mbi të cilën angazhohet”- tha Gërvalla.

Ajo tutje shtoi se i vije keq që Jakupi po përballet me një fushatë të tillë duke shtuar se po përdoret ai për t`u sulmuar Ministria e Punëve të Jashtme.

“Më vjen keq që Gani Jakupi përballet me një fushatë të tillë sepse nuk e meriton aspak. Nuk është fer të përgojohet një person vetëm se duhet të sulmohet MPJD. Nuk i ka asnjë borxh këtij vendi Gani Jakupi, është përkushtimi i cili e bën që edhe sot të mos e ketë prishur kontratën edhe pse ballafaqohet me një gjë të tillë”- u shpreh Gërvalla.

Ministrja Gërvalla deklarohet për raportimet për pagën e Gani Jakupit