Foto: Kallxo.com

Mungon eksperti- dëshmitar, anulohet seanca ndaj zyrtarit të Kushtetueses dhe ish- zyrtarit të MASHT

Është anuluar shqyrtimi i sotëm gjyqësor në rastin e një ish zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe një zyrtari të Gjykatës Kushtetuese të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Seanca e sotme ndaj sekretarit të përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Milot Vokshit dhe ish-sekretarit të përgjithshëm i MAShT-it, Xhavit Dakaj nuk u mbajt meqë në seancë nuk erdhi të dëshmojë eksperti financiar Mentor Prekazi.

Ai kishte njoftuar se nuk do të mund të paraqitet në gjykatë në ditën e sotme andaj seanca është shtyrë për të premten, më 8 qershor.

Sipas aktakuzës të Prokurorisë Speciale, Dakaj dhe Vokshi akuzohen se duke i tejkaluar kompetencat e tyre, në dhjetor të vitit 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, për vete apo persona tjerë në mënyrë të kundërligjshme kishin lidhur marrëveshje të mirëkuptimit mes institucioneve ku punonin, përkatësisht mes MAShT-it dhe Gjykatës Kushtetuese me qëllim të shfrytëzimit të kontratës publike kornizë, nga ana e MAShT-it për shfrytëzimin e një operatori ekonomik për të furnizuar MAShT- in me mall.

https://kallxo.com/fjalosje-mes-te-akuzuarit-dhe-ekspertit-pas-seances/

Aktakuza sqaron se kontrata në mes këtij operatori ekonomik dhe Gjykatës Kushtetuese ishte lidhur për shtypjen e librave dhe materialeve tjera për shtypje, duke i mundësuar këtij subjekti përfitime në vlerë prej 31,612.60 euro, për të cilën shumë prokuroria pretendon se buxheti i shtetit të Kosovës është dëmtuar.

Rasti i Xhavit Dakajt dhe Milot Vokshit me vendim të Apelit ishte kthyer në rigjykim.

I akuzuari Dakaj në shkallën e parë ishte shpallur fajtor për keqpërdorimi të pozitës zyrtare dhe cenimi i barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike në bashkëkryerje me dënim unik në kohëzgjatje prej 10 muajve burgim.

Për të njëjtat vepra penale, i akuzuari Vokshi ishte dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 6 muajve burgim.

https://kallxo.com/denohet-nga-themelorja-vazhdon-punen-ne-kushtetuese/

Pjesë e kësaj aktakuze ishin edhe Xhemajl Buzuku, Fehmi Zylfiu e Bukurije Borovci.