Mungojnë Gardianët, Shtyhet Seanca në Rastin “Badovci”

Seanca e paraparë të mbahet sot në rastin ku të akuzuar janë Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi, të cilët dyshohet se te liqeni i Badovcit kanë dashur të incizojnë një video propaganduese dhe të lexonin betimin ndaj liderit të ISIS-it, nuk është mbajtur për shkak të mungesës së gardianëve.

Gjyqtarja e çështjes mori vendim që të mos mbahet seanca ngase Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte njoftuar Gjykatën se Njësiti i Transportit në Lipjan për shkak të mungesës së gardianëve nuk do të mund të sillen të akuzuarit në Gjykatë.

Sipas tyre, të akuzuarit cilësohen si persona të rrezikshëm dhe për ta nuk ka numër të mjaftueshëm të gardianëve.

Këtë njoftim për mbrojtësit e të akuzuarave gjyqtarja e dha në zyrën e saj sepse sipas saj të gjitha sallat e gjykimit ishin të zëna.

Seancat e radhës për këtë çështje u caktuan më 24 mars dhe 15 prill 2016.

Në këtë rast të akuzuar janë Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi.

Aktakuza i ngarkon të pesë akuzuarit se në korrik të vitit të kaluar kishin shkuar te liqeni i Badovcit afër Prishtinës me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Grupi, sipas prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës, thuhet në aktakuzë.

Në seancat e kaluara mbrojtja e pesë të akuzuarve e ka kundërshtuar aktakuzën ndaj klientëve të tyre, por Gjykata menjëherë ka hedhur poshtë pretendimet e avokatëve.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast.

http://kallxo.com/kundershtohet-aktakuza-ne-rastin-e-badovcit/

http://kallxo.com/deklarojne-pafajesine-te-arrestuarit-te-liqeni-i-badovcit/

http://kallxo.com/zbardhet-plani-i-te-arrestuarve-te-isis-te-liqeni-i-badovcit/

http://kallxo.com/dy-nga-te-arrestuarit-e-badovcit-pjese-e-grupit-te-40-te-arrestuarve/