Një laborator si foto-ilustrim | KALLXO.com

Moslicencimi Lë Laborantët Pa Punë

Gjenerata që ka diplomuar në drejtimin biokimiko-fiziologjik në Universitetin e Prishtinës tash e 7 vjet nuk po mundet të praktikojë profesionin e saj për shkak të mungesës së licencës.

Sipas studentëve, kërkesa për licencim e dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë disa herë me radhë është refuzuar, e disa herë edhe është injoruar nga kjo ministri.

Taulant Sopaj i cili i takon gjeneratës së parë të diplomuar në këtë drejtim në vitin 2009, thotë se Ministria e Shëndetësisë nuk po ia lejon të marrë titullin laborant i diplomuar, edhe pse sipas tij ky titull i garantohet me vendim të Qeverisë së Kosovës.

“Kërkesa për licencim na është refuzuar sepse sipas ministrisë duhet të mbahen disa module shtesë për të përmbushur programin, ndërkaq rektorati ka refuzuar organizimin e këtyre moduleve duke iu referuar vendimit të qeverisë,” tha Sopaj.

Rektorati i Universitetit të Prishtinës i ka dërguar KALLXO.com vendimin e marrë për rastin në fjalë ku thuhet se sipas vendimit të qeverisë mbajtja e moduleve shtesë nuk është e nevojshme për të diplomuarit në këtë drejtim.

“Kandidatët e diplomuar me thirrjen bachelor, e marrin thirrjen laborant i diplomuar, prandaj bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Universiteti i Prishtinës nuk ka kurrfarë obligimi apo kompetence ligjore për organizim të ciklit plotësues të ligjëratave nga lëndët mjekësore për këtë kategori të të diplomuarve,” thuhet në vendim të rektoratit.

Megjithëse vendimi i lartcekur i Rektoratit të UP-së është marrë në maj të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë në qershor ka theksuar se është në pritje të këtij vendimi.

“Bordi për licencim të profesionistëve shëndetësorë i Ministrisë së Shëndetësisë i ka parashtruar  kërkesë Rektoratit të Universitetit të Prishtinës që të organizojë mbajtjen e disa moduleve shtesë….Bordi do të marrë hapa të mëtejmë në varësi prej përgjigjes që do të japë Rektorati i UP-së,” është përgjigjur MSh-ja.

Kryetari i Bordit të Licencimit të Profesionistëve Shëndetësorë Hysni Bajrami ka qenë i paqasshëm, ndërkaq përgjigje tjetër nga MSh-ja është munduar të japë vetëm zëdhënësi Faik Hoti.

Hoti ka konstatuar se janë duke pritur për mbajtjen e një takimi për të gjetur zgjidhje për laborantët e diplomuar, megjithëse sipas tij po haset vështirësi në kompletimin e komisionit.

Përderisa vendimi për licencim po zvarritet, mundësitë e këtyre studentëve për t’u punësuar po zvogëlohen.

Hasim Avdija nga gjenerata e dytë e diplomuar në vitin 2015 nga ky drejtim thotë se kjo vonesë i ka dëmtuar shumë avancimit në karrierë si dhe ia ka pamundësuar punësimin.

“Kjo vonesë ka ndikuar shumë, ne jemi diskriminuar nga profesionistët e tjerë shëndetësorë. Ne jemi të papunë sepse kam aplikuar në shumë klinika por dokumenti i parë që e kërkojnë është licenca,” tha Avdija.

Pas diplomimit të këtyre gjeneratave, drejtimi biokimiko- fiziologjik nuk ka pranuar më studentë.