Mogherini Ndryshon Agjendën, Vizitë Urgjente në Beograd

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, do të shkojë sot pasdite në Beograd, në një vizitë urgjente për të biseduar me Presidentin e serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas zhvillimeve të fundit rreth arrestimit të Marko Gjuriqit në Kosovë.

“Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini në rrugë drejt Tashkentit ku do të marrë pjesë në konferencën për Afganistanin, do të ndalet në Beograd këtë pasdite vonë për të biseduar me Presidentin Aleksandar Vuçiq rreth të ardhmes së dialogut të lehtësuar nga BE mes Serbisë dhe Kosovës”, njoftoi Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Mogherinit, në një postim në Twitter.

Dje, Kocijançiq, tha për BIRN se thirrja e BE-së për autoritetet e të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, është që të tregojnë përmbajtjen dhe maturinë e nevojshme në mënyrë që situata në teren në Kosovë të mos eskalojë më shumë.

Komenti i saj erdhi në ditën kur njësitet speciale të Policisë së Kosovës arrestuan shefin e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq për hyrje ilegale në Kosovë.

“Të gjitha çështjet e shqetësimit të dyanshëm duhet të adresohen brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE, i cili është synimi përfundimtar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Kocijançiç.

Ajo shtoi se BE “shpreh keqardhje për ngjarjet e sotme, të cilat shkojnë në të kundërtën e normalizimit të marrëdhënieve”.

“Ne presim që edhe Serbia- e cila është në bisedimet për anëtarësim në BE- edhe Kosova- e cila është në proces të zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim- t’i respektojnë në tërësi, në letër dhe frymë, marrëveshjet e arritura ndërmjet vete në dialog”, tha Maja Kocijançiç.