Enis Berisha, Foto: Kallxo.com

Misioni i pamundur i njeriut me superpërvojë për të gjetur punë në Kosovë

Enis Berisha është njëri prej kandidatëve që ka aplikuar në 7 pozita të larta nëpër institucione e borde të ndërmarrjeve publike të cilat janë monitoruar nga britanikët. Por ai nuk është përzgjedhur në asnjërën prej tyre.

“Në të gjitha kam qenë i renditur i pari ose i dyti në listë por që në fund nuk jam emëruar nga Qeveria apo nga Kuvendi i Kosovës”, ka thënë Berisha.

Pozita e fundit në të cilën ka aplikuar dhe është në pritje të vendimit është ai për Bordin e KOSTT-it.

Enis Berisha ka dalë si kandidati i tretë më i poentuar nga komisioni vendor, kurse është renditur i dyti nga britanikët.

Berisha ka deklaruar se nëse edhe në këtë pozitë nuk do të përzgjidhet atëherë do ta mendojë largimin nga Kosova dhe një vend pune jashtë saj.

“Nëse nuk do të zgjidhem atëherë unë fatmirësisht e kam të gjithë familjen në Perëndim, në Zvicër jeton, atëherë edhe unë do të marr rrugën për në Perëndim, të jetoj në Zvicër sepse nuk jam këtu për të luftuar për një vend pune apo për një pagë por për të dhënë kontribut”, ka thënë Berisha.

Berisha është magjistër i shkencave teknike në inxhinieri mekanike dhe transport, e po ashtu kandidat për doktorant në Teknologji Informative.

E nga ana tjetër ai ka treguar se ka 16 vjet përvojë pune. Berisha për 6 vite ka qenë Kryeshef Ekzekutiv në Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave.

Pasi është larguar nga pozita e Kryeshefit ekzekutiv, ai ka aplikuar në pozita të tjera në Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave, por nuk është përzgjedhur për ato pozita nga Bordi.

Enis Berisha ka konkurruar në disa pozita ku kanë qenë të përfshirë edhe partnerët e Ambasadës britanike.

Berisha ka aplikuar për Bord të Telekomit dy herë, në vitin 2017 dhe 2018 dhe nuk është përzgjedhur. Ai ka dështuar të përzgjidhet edhe në pozitën e zëvendësdrejtorit në Agjencinë për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronave.

“Nga paneli vendor nuk është zgjedhur kurse nga britanikët ka dalë i dyti”, ka thënë ai.

Pozita e radhës në të cilën Berisha ka aplikuar është Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

“I pari në listë dhe nuk jam emëruar”, ka shtuar Berisha.

Berisha është përzgjedhur si kandidat potencial për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në MBPZhR dhe për pozitën Kryeshef Ekzekutiv në Agjencinë për Efiçiencë të Energjisë, por nuk është emëruar as në këto pozita.

Enis Berisha ka thënë se memorandumi i nënshkruar mes Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë dhe Kuvendit të Kosovës e Qeverisë nuk respektohet.

“Neni 8 i marrëveshjes thotë që institucionet vendore zotohen që do ta zgjedhin kandidatin më të poentuar. Kjo deri tani ka dështuar në rastin tim në 7 pozita që kam apliku”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka thënë se memorandumi nuk do të ketë sukses nëse nuk ndryshon qasja e politikanëve.

“S’besoj që do të ketë sukses, duhet të ndryshojë qasja e politikanëve tanë, t’i marrin njerëzit profesional, le t’i marrin politik por profesional”, ka theksuar Berisha.

Dështimin e Berishës për 7 herë me radhë për t’u emëruar në njërën nga pozitat ku ai kishte aplikuar edhe pse në secilën herë ishte kandidat potencial, e ka përmendur edhe ambasadori britanik në Kosovës, Ruairi O’Connell.

“Enis Berisha ka aplikuar në 7 procese, në disa i ranguar si kandidati me më shumë pikë por që kurrë nuk është emëruar. E meta e tyre është që nuk kanë lidhje politike. Një qasje e tillë shkatërron institucionin siç po shihet me rastin e Telekomit”, tha O’Connell.

Kjo ishte deklarata e tij në konferencën e mbajtur nga partneri zbatues i projektit BDO dhe PSI, në përmbyllje të fazës së dytë e projektit të rekrutimit të financuar nga Ambasada britanike “Forcimi i Qeverisjes së Mirë, Transparencës dhe Përgjegjshmërisë së Institucioneve të Kosovës”, për pozitat e larta drejtuese brenda shërbimit civil dhe institucioneve të pavarura.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli kanë nënshkruar memorandume të bashkëpunimit me Ambasadën britanike në Prishtinë për t’i ofruar asistencë institucioneve në rekrutimin e pozitave të larta drejtuese.   

Sa i përket nivelit qendror, Memorandumi i parë i mirëkuptimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Ambasadës britanike në Kosovës ishte nënshkruar më 11 tetor 2017 me kohëzgjatje deri më 31 mars 2018. Më pas memorandumi i dytë ishte nënshkruar më 24 gusht. Kohëzgjatja e këtij memorandumi është deri më 31 mars të vitit 2020. Me memorandumin e parë janë zgjedhur 21 pozita drejtuese kurse me të dytin janë paraparë të zgjidheshin 22 pozita të tjera.

Ambasada britanike në Kosovë ka nënshkruar Memorandum të mirëkuptimit edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin më 11 shtator 2018. Edhe kohëzgjatja e këtij memorandumi është deri më 31 mars 2020. 

Ambasada britanike ka angazhuar një partner të jashtëm zbatues për të ndihmuar në proceset teknike të rekrutimit për të ndihmuar në proceset teknike të rekrutimit për pozitat e lira të larta të identifikuara.   

BIRN ka qenë pjesë e procesit të rekrutimit për pozitat e dakorduara si vëzhgues.