Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - Foto: Facebook

‘Miqtë e Fëmijëve’ Bëhen Bashkë

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka lansuar sot platformën “Miqtë e Fëmijëve”, i cili do të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve në gjithë Kosovën.

Pjesëmarrësit e këtij aktiviteti u pajtuan se fëmijët kanë nevojë për mbrojtje dhe se të drejtat e tyre duhet që të respektohen dhe të mbrohen nga të rriturit.

“Miqtë e Fëmijëve” është grup që përbëhet nga personalitete me një karrierë të suksesshme në profesione të ndryshme, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel  Zbogar, e përshëndeti këtë nismë, duke vlerësuar se fëmijët kanë më shumë nevojë për mbrojtje. Ai theksoi se në ketë drejtim duhet bërë më shumë në legjislacion.

“Kemi parë përmirësime të kornizave ligjore për fëmijë në Kosovë, por duhet përmirësime”, tha Zbogar.

Ndërsa, ambasadori norvegjez në Prishtinë, Jan Braathu, pasi përmendi faktin që Kosova është në tranzicion, nëpër të cilin dikur ka kaluar edhe Norvegjia, theksoi se Kosova duhet t’u japë shumë rëndësi fëmijëve.

“Nëse Kosova dëshiron që të jetë e suksesshme në të ardhmen, duhet të kujdeset sot për fëmijët”, porositi ai.

Kurse, ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, duke folur për rëndësinë e fëmijëve përmendi faktin se Kosova është vendi që ka popullsinë më të re në Ballkan, e për këtë, sipas tij, nuk duhet asnjëherë t’i mungojë përkrahja.

“Fëmija nuk është thjeshtë një qenie njerëzore që dëshiron vetëm ushqim. Shoqëria duhet të interesohet edhe në mirërritjen e fëmijëve. Ata nuk e kanë forcën e duhur që të kërkojnë më shumë kujdes – kjo është detyrë e jona”, tha Minxhozi.

“Unë sot nuk kam ardhur këtu të ju tregoj për rëndësinë e fëmijëve në shoqëri. Ju këtë duhet ta kuptoni vet”, tha ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, i cili përshëndeti ata që e kanë marrë këtë iniciativë.

Pjesë e “Miqve të Fëmijëve” që morën pjesë në konferencë ishin edhe Rona Nishliu, Eshref Durmishi, Eliza Hoxha, Lorik Cana, Besim Dina e të tjerë.