Ministria e Sportit shpërndan bursa për ‘Shpresat Olimpike 2019’

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), ka bërë shpërndarjen e bursave për ‘Shpresat Olimpike’ për vitin 2019.

Ministri Kujtim Gashi, gjatë ceremonisë tha se shpreson që këto bursa do t’ju ndihmojnë sportistëve për t`u përgatitur për garat që i presin.

“Kjo ceremoni tregon edhe një herë përkushtimin tonë si Ministri e Sportit, por edhe në të njëjtën kohë si qeveri për të ndihmuar drejtpërdrejtë talentët tanë, sportistët të cilët janë shpresa e sportit kosovar. Këto bursa jepen pas rekomandimeve që kanë ardhë nga ju, natyrisht duke u bazuar gjithmonë në rregullore dhe jam shumë i lumtur që në cilësinë e ministrit, e kemi një moment të veçantë të përkujdesjes tonë ndaj jush për t’ju ndihmuar në përgatitjet për garat që ju presin në të ardhmen”, ka thënë Gashi.

Ndërsa Besim Hasani nga Komiteti Olimpik i Kosovës ka thënë se edhe pse këto bursa janë simbolike, ajo që është më e rëndësi është identifikimi i këtyre sportistëve si shpresa olimpike.

“Në emër të komitetit olimpik sinqerisht ju falënderoj për përkushtimin tuaj për mbështetjen e sportistëve , duke filluar nga sportistët e rinj. Edhe pse është simbolike, më e rëndësishmja është se këta sportistë janë identifikuar si shpresa olimpike. Simbolika është e lartë, por edhe shumë emra para këtyre kanë filluar kështu dhe sot gëzojnë edhe  bursa olimpike”, ka thënë ndër të tjera Hasani.

Përfitues të bursave ishin Erza Minimoviq, Shpat Zeka, Muhamet Ramadani, Betim Maliqi, Patriot Bajrami, Dren Ukimeraj, Arlind Sejdini, Arbër Popovci, Albina Deliu dhe Fatih Karabaxhaku.

Shuma që do përfitojnë nga këto bursa këta sportistë është nga 150 euro në muaj, apo 1800 euro në vit.