Foto: Ilustrim

Ministria e Mbrojtjes tregon se si FSK e gjeti trupin e viktimës në bjeshkët e Rugovës

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka bërë të ditur se pjesëtarët e FSK-së e kanë gjetur sot pasdite trupin e pajetë të qytetarit M.N., i cili ishte zhdukur pas sulmit nga të afërm të tij.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, me vendim të ministrit Rrustem Berisha dhe me urdhër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, një ekip i kërkim-shpëtimit të FSK-së është angazhuar në operacion kërkimi të një personi të zhdukur në bjeshkët e Rugovës.

“Ekipi profesionist i FSK-së prej 12 pjesëtarëve pas një operacioni të gjerë kërkimi, në një terren të vështirë ka arritur të gjej trupin e pajetë të personit të shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, me inicialet M.N. i moshës 50 vjeçare nga fshati Shtupeq i Madh i Pejës”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes.

Sipas Ministrisë, ekipi i FSK-së trupin pajetë ia ka dorëzuar Policisë dhe familjarëve të të ndjerit për procedura të mëtutjeshme.

KALLXO.com raportoi për gjetjen e trupit të viktimës, i cili konsiderohej i zhdukur që nga e premtja në mbrëmje, kur dyshohet se u sulmua nga familjarë të tij, të cilët sipas Policisë, përdorën edhe sëpata.

https://kallxo.com/foto-terhiqet-trupi-i-pajete-i-personit-qe-u-sulmua-me-sepate-nga-te-afermit/

Trupi i viktimës u tërhoq nga Mjekësia Ligjore rreth 4 orë pas gjetjes së tij.

Lidhur me rastin, tre persona të dyshuar janë arrestuar, njëri prej tyre i mitur.

Prokuroria e Pejës ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarit.