Veseli takoi ministrin e Jashtëm të Maqedonisë Foto: Kuvendi i Kosoves

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë takohet me liderët kosovarë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikola Dimitrov.

Në këtë takim u diskutua për marrëdhënie e të dy vendeve si dhe për mundësinë e avancimit të bashkëpunimit.

“Kryeparlamentari Veseli theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të kultivuar më tej frymën e bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë këtu edhe Maqedoninë, në funksion të fqinjësisë së mirë dhe synimeve të përbashkëta euro-atlantike”, thuhet në komunikatën e Kuvendit të Kosovës.

Veseli ka vlerësuar se çështja e zgjidhjes së emrit në mes të Maqedonisë dhe Greqisë e rekomandimi pozitiv për liberalizim të vizave për Kosovën janë një sinjal i mirë për të ardhmen evropiane të Ballkanit.

Në anën tjetër, ministri Dimitrov theksoi nevojën e kultivimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke iu dhënë një shtysë të fuqishme avancimit të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe ndërparlamentare. ​

Më herët, Dimitrov është takuar edhe me homologun e tij në Kosovë Behgjet Pacolli si dhe pas takimit me Veselin, ai ka zhvilluar takim edhe me kryeministrit e Kosovës, Ramush Haradinaj.