Ministri i Drejtësisë refuzon raportimin para deputetëve, sërish akuza ndaj Vetëvendosjes

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka vazhduar të polemizojë me partinë Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht deputetët e kësaj partie.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu sot tregoi se Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka refuzuar raportimin e tij në Komisionin për Legjislacion që ishte paraparë për nesër

Përmes llogarisë në Facebook, Haxhiu ka thënë se refuzimin e pjesëmarrjes së tij në këtë komision, ministri Tahiri e ka sqaruar përmes një letre.

“Sapo pranova një letër nga Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, me anë të së cilës më ka njoftuar mbi refuzimin e tij të sërishëm, për të raportuar nesër në Komisionin për Legjislacion. Mbi pretendimet e tij skandaloze që i shpreh në letër, do njoftoheni nesër në orën 13:00 në mbledhjen e Komisionit.”, ka shkruar Haxhiu.

Në anën tjetër, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë për KALLXO.com se në letrën që i ka dërguar këtij komisoni, ai ka sqaruar se nuk mendon se duhet të diskutohet në Komisionin për Legjislacion, çështja e Administratës së Gjyqësorit dhe e Shërbimit Korrektues.

Sipas tij, qeveria i ka mbështetur këto institucione në aspektin e ngritjes së pagave edhe në aspektin e kapaciteteve.

“Politizimi i proceseve të tilla është i papranueshëm. Në fund të fundit janë këta deputetët e Kosovës të cilët e kanë pru Ligjin për Paga, që i ka përcaktu kategoritë çfare i kemi sot. Nuk mund të bëjmë politikë mbi Shërbimin Korrektuese dhe Administratën e Gjyqësorit, e t’i politizojmë këto dy institucione mjaft të rëndësishme, për interesat e një partie apo një deputeti të caktuar. Pikërisht për një gjë të tillë, unë po refuzoj kategorikisht që të vihet në diskutime politike çështja e administratës së gjyqësorit edhe çështja e shërbimit korrektues të Kosovës”, ka thënë ministri.

Tahiri po ashtu i ka reaguar drejtpërdrejt kësaj partie lidhur me kritikat që ata i bënë për konkursin për noterë q u quajt i komprementuar.

Në anën tjetër, Gazeta Jeta në Kosovë ka publikuar hulumtimin mbi dyshimet për keqpërdorime në këtë konkurs.

Dyshime të forta për keqpërdorime në testin e noterisë