Milo Gjukanoviq për Demarkacionin, Kushtëzimet dhe Kërkimfaljen

Politika në Kosovë ka humbur një vit duke u marrë me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi me qeverinë që ka nënshkruar një marrëveshje me shtetin fqinj dhe opozitën që po e konteston këtë marrëveshje në të gjitha mënyrat.

Marrëveshja që u planifikua të ratifikohej javën e kaluar në Kuvend, u tërhoq nga procedura në momentin e fundit për shkak se koalicioni qeveritar ndjeu që nuk i kishte votat e mjaftueshme.

Përderisa kjo temë në Kosovë po vazhdon, Mali i Zi e ka ratifikuar marrëveshjen tash e nëntë muaj dhe është në pritje të një rezultati final të votimit nga pala e Kosovës.

Jeta Xharra ka shkuar në Podgoricë për të biseduar me njeriun më të fuqishëm politik të 27 viteve të fundit në Mal të Zi, kryeministrin Milo Gjukanoviq.

Në intervistën që do të transmetohet sonte në RTK në orën 20:15 Gjukanoviq flet për demarkacionin, për qëndrimin malazez ndaj kësaj çështjeje dhe për pritjet e tij prej palës kosovare.

Në intervistë, Gjukanoviq flet edhe për recetën e tij si politikan, partia e të cilit fitoi çdo palë zgjedhje në Mal të Zi për gati tri dekada.

Ai flet edhe për dialogun Kosovë- Serbi dhe përmend me emra politikanët në Prishtinë dhe Beograd të cilët kanë fuqi që t’i bëjnë shqiptarët e serbët të shikojnë nga e ardhmja.