Mbyllje e Seancës në Rastin ‘Badovci’

Publiku u përjashtua nga seanca e rastit “Badovci” me kërkesë të prokurores Drita Hajdari, pas aprovimit të gjyqtares Valbona Selimi dhe trupit gjykues.

Hajdari kërkoi mbylljen e seancës me arsyetimin e mbrojtjes së dëshmitarëve, pasi tha se ekspozimi i tyre paraqet rrezik për jetën e tyre.

Sot është paraparë dëshmia e dy personave.

Në këtë proces gjyqësor, Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Betim Brahimaj dhe Enis Latifi, akuzohen nga Prokuroria Speciale për përgatitje të veprave të terrorizmit, ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë, ndërsa Fehmi Musa për ndihmë në kryerjen e këtyre veprave.

Besnik Latifi e Milazim Haxhiaj ngarkohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit se në korrik të vitit të kaluar kishin shkuar te liqeni i Badovcit afër Prishtinës me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Grupi, sipas prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës, thuhet në aktakuzë.