Mbyllet Seanca në Gjykimin për Pronat në Çagllavicë

Shtyrja nga ora 10:00 deri në 13:00 në gjykimin për prona ndodhi ngase të akuzuarit Arton Vila dhe Avni Maxhuni nuk u sollën nga qendrat e paraburgimit.

Villa e Maxhuni u arrestuan më 27 prill, ndërsa pastaj iu caktua paraburgimi në rastin ku i dyshuar është edhe deputeti Azem Syla.

Kryetari i trupit gjykues me të filluar seanca në orën 13 e 30 e mbylli atë për medie dhe publik, pasi sipas tij gjatë seancës do të zbulohen disa prova.

Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës grupin prej 23 persona i akuzon për krim të organizuar, nxjerrje dhe ndihmë e nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, shpërdorim të detyrës zyrtare ose autorizimit në vazhdimësi, plaçkitje, falsifikim të dokumentit zyrtar, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit në vazhdimësi dhe shpëlarje e parave në vazhdimësi.

Nga këta të akuzuar, Nexharije Hoti ishte gjyqtare në ish-Gjykatën Komunale të Prishtinës, Reshat Fetahu, shef në Departamentin Ligjor në AKP, Gani Ademi këshilltar ligjor i këtij departamenti, Avni Maxhuni avokat, Isak Ademi noter, Albion Mulaku nëpunës në Bankën BKT, Xhabir Kajtazi përfaqësues ligjor në L.L.C. “Union” Sh.P.K.

Pjesë e këtij gjykimi janë edhe Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Shqipe Maxhuni, Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Lirim Zeka, Agim Jerlija, Gëzim Rama, Basri Beka, Hamit Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami dhe Bajram Gashi.

Aktakuzat ndaj këtij grupi lidhen me keqpërdorim pronash të komunave të Prishtinës dhe Graçanicës.

Bëhet fjalë për 36 hektarë toke komunale të shitur me çmim shumë të ulët në krahasim me çmimin real të tregut.

Ky proces gjyqësor nisi më 6 prill.

http://kallxo.com/gjykimi-per-keqperdorim-pronash-ne-cagllavice/