Ekipi i volejbollit të SHFMU “Ismail Qemali”, në Malishevë, Foto: Komuna e Malishevës

Malisheva pret tri herë fituesit e garave shkollore në Volejboll

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe drejtori komunal për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi, kanë pritur sot në një takim ekipin e volejbollit të SHFMU “Ismail Qemali” të Bellanicës, të cilët për të tretën herë radhazi janë fitues të garave republikane të sportit shkollor në volejboll.

Sipas një njoftimi të Komunës së Malishevës, Berisha e Thaçi i kanë uruar nxënësit e kësaj shkolle dhe kanë premtuar përkrahje për aktivitetet shkollore.

Nënkryetari Berisha tha se ndihet mirë dhe shumë i kënaqur me rezultatet e arritura në këto gara shkollore, ku në nivel të Republikës e kanë zënë vendin e parë.

“Ne po investojmë në infrastrukturën shkollore, përfshi edhe në infrastrukturën e sportit në shkolla dhe rezultatet janë këto, andaj ne nuk do të ndalemi së investuari në shkollat tona, me qëllim të arritjes së rezultateve në të gjitha fushat e arsimit”, tha nënkryetari Berisha.

Edhe drejtori komunal për Arsim i ka uruar nxënësit dhe drejtorinë e shkollës së Bellanicës për suksesin e arritur, duke thënë se të jesh tri herë radhazi kampion në nivel vendi është sukses që tregon edhe punën e mirë që janë duke bërë mësimdhënësit.

Drejtori i SHFMU “Ismail Qemali” nga Bellanica, Isuf Sertolli dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle e kanë falënderuar Komunën e Malishevës, për përkrahjen e vazhdueshme që janë duke e dhënë për shkollat, e në veçanti për përkrahjen e nxënësve në aktivitetet e tyre.

Nënkryetari Berisha dhe drejtori Thaçi, kanë premtuar përkrahje të vazhdueshme për të gjitha shkollat dhe nxënësit e Komunës së Malishevës, e në veçanti kanë premtuar përkrahje për aktivitetet e tilla shkollore, ku nxënësit e Komunës së Malishevës, po tregojnë rezultate të mira.