Komuna e Malisheves. Malisheve. 28.05.15 Photo: Atdhe Mulla
Auditori: Komuna e Malishevës ka ndërtuar rrugë e shkolla pa projekte ekzekutive
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Malishevës kishte ndërtuar rrugë, shkolla, e fusha futbolli pa pasur një projekt ekzekutiv në dosjen e tenderit.
Në raportin e ZKA-së për Komunën e Malishevës për vitin 2022, thuhet se kjo Komunë në të paktën katër raste ka kryer punime pa pasur projektin e detajuar në dosjen e tenderit.
Sipas raportit, punime pa projekt ekzekutiv janë ‘Ndërtimi i sheshit dhe rrugës Ibrahim Mazreku’, ‘Ndërtimi i urës afër shkollës fillore Imer Krasniqi në fshatin Carrallukë’, ‘Ndërtimi i rrugës Gurbardh – Turjakë’ dhe ‘Ndërtimi i fushave të futbollit të vogël në fshatin Kijevë – lagja Stapanicë’.
Tutje, në raport thuhet se kjo ka ndodhur për shkak të mosfunksionimit të duhur të kontrolleve të brendshme në planifikimin dhe inicimin për projektet investuese.
“Specifikat teknike duhet të përfshijnë si pjesë substanciale të vetën, një projekt ekzekutiv. Autoriteti Kontraktues është përgjegjës për hartimin e Projektit Ekzekutiv. Asnjë Autoritet kontraktues nuk i lejohet që të lëshojë dokumentacionin e tenderit pa bashkëngjitur përshkrimin e hollësisëshëm të projektit” – thuhet në Raportin e ZKA-së.
ZKA-ja ka thënë se kryerja e punimeve pa një projekt mund të ndikojë në nevojën për ndryshime, korrigjime dhe punë shtesë (aneks kontrata) gjatë realizimit të punëve për këto projekte.
“Kryetari duhet të rishikoj kontrollet e vendosura në procesin e planifikimit dhe inicimit të projekteve investuese dhe të sigurojë se gjatë përgaditjes së specifikave teknike për projekte investuese të kenë të përgaditur edhe projektin ekzekutiv dhe të njëjtin të ia bashkangjisin dosjes së tenderit me rastin e publikimit të saj” – është rekomandimi i ZKA-së për kryetarin e Malishevës, Ekrem Kastratin.
Komuna e Malishevës është pajtuar me këtë gjetje të ZKA-së.
Raportin e plotë të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Malishevës për vitin 2022 mund ta gjeni KËTU