Mali i Zi Pret që Kosova ta Ratifikojë Demarkacionin

Qeveria e Malit të Zi pret që Kuvendi i Kosovës ta ratifikojë marrëveshjen për caktimin e vijës kufitare mes dy shteteve, pasi komisioni i ekspertëve të huaj gjeti se nuk ka pasur shkelje gjatë këtij procesi.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi të enjten e vlerësoi të rëndësishme këtë marrëveshje të arritur në gusht të vitit të kaluar.

“Marrëveshja për kufirin shtetëror ndërmjet Malit të Zi e Republikës së Kosovës është realizuar në mënyrën më të argumentuar dhe më të drejtë”, tha Mirjana Ivanoviq, këshilltare për media në MPB-në e Malit të Zi.

“I tërë procesi i përmbylljes së marrëveshjes për çështjen e kufirit shtetëror ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës është vlerësuar nga komisioni i ekspertëve ndërkombëtarë si i rregullt në aspektin juridik e teknik”, shtoi ajo.

Mali i Zi e ka miratuar këtë marrëveshje më 28 dhjetor të vitit të kaluar ndërsa tani qeveria e Podgoricës pret që Kosova ta bëjë të njëjtën.

“Presim që Kuvendi i Republikës së Kosovë të ratifikojë këtë marrëveshje e cila do të hyjë në fuqi, do të zbatohet ndërmjet dy shteteve. Rëndësia e nënshkrimit të marrëveshje nuk ka të bëjë vetëm në marrëdhëniet Mali i Zi – Kosovë por edhe në kontekstin e ndërtimit dhe fuqizimit të stabilitetit rajonal”, Mirjana Ivanoviq për KALLXO.com.