Urologu Lutfi Dervishi - Foto: KALLXO.com

Lutfi Dervishi Dërgohet në Burgun e Dubravës

Në një intervistë ekskluzive për KALLXO.com, avokati i Lutfi Dervishit tha se i mbrojturi i tij është dërguar në Burgun e Dubravës ndërsa arrestimin e tij e cilësoi një lloj kidnapimi.

“Arrestimi nuk ka asnjë bazë ligjore. Madje, është një lloj kidnapimi. Vendimi i Gjykatës Supreme e ka anuluar fletarrestin dhe nuk e di se mbi çfarë baze është arrestuar”, tha avokati Valon Hasani.

Hasani tha për KALLXO.com se i mbrojturi i tij është dërguar në Dubravë ndërsa për nesër është paralajmëruar seanca për caktimin e masës së sigurisë.

KALLXO.com raportoi sot për arrestimin e urologut Lutfi Dervishi dhe solli pamje ekskluzive nga sjellja e tij në stacionin policor Qendra në Prishtinë.

http://kallxo.com/arrestohet-lutfi-dervishi/

Lutfi Dervishi ishte në arrati që prej disa muajsh.

Arrestimi i Dervishit vjen disa ditë pasi Gjykata Supreme e ktheu në rigjykim rastin “Medicus”, edhe pse dënimet e Themelores për këtë rast ishin vërtetuar edhe nga Apeli.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar në vitin 2013 me 8 vjet burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës nën akuzën për krim të organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore, ndërsa këtë vendim ia vërtetoi në vitin 2016 edhe Gjykata e Apelit.

Djalit të Lutfiut, Arbanit, i cili nga Gjykata Themelore ishte dënuar me 7 vjet e tre muaj burg, Gjykata e Apelit ia ngriti dënimin në 8 vjet, ndërsa Sokol Hajdini nga Gjykata e Apelit u dënua me 5 vjet burg për dallim nga dënimi prej 3 vjetësh që i kishte shqiptuar Gjykata Themelore.

Dënimet Gjykata Themelore në Prishtinë i shpalli më 29 prill të vitit 2013, ndërsa Gjykata e Apelit lidhur me këtë rast vendosi në mars të vitit 2016.

Ndërsa pos dënimit me burg, Lutfi Dervishit i ishte ndaluar edhe ushtrimi i profesionit të urologut për dy vjet.

Arban Dervishi, menaxher në klinikë, atëherë u dënua për të njëjtat akuza me Lutfi Dervishin me 7 vjet e 3 muaj burg dhe gjobën prej 2,500 eurosh.

Sokol Hajdini për lëndime të rënda trupore u dënua me 3 vjet burg dhe ndalim të ushtrimit të profesionit të anesteziologut për një vit.

Po për lëndime të rënda trupore u dënuan me nga një vit burg me kusht edhe Islam Bytyqi e Sylejman Dulla.

Pas arrestimit të mjekut Lutfi Dervishi, të birit të tij dhe anesteziologëve, Policia  e Kosovës kishte bastisur Klinikën “Medicus”, ku kishte gjetur medikamente me afat të skaduar dhe doza të gjakut, të cilat nuk kishin origjinë.

Në Klinikën “Medicus” ishte gjetur edhe një pacient, shtetas izraelit, i cili dyshohet se kishte pranuar veshkën nga një shtetas turk. Shtetasi turk qe arrestuar në Aeroportin e Prishtinës në kohën kur po largohej nga Kosova.