Ligji për Prishtinën Kthen Përplasjet Qeveri- Komunë

I pari thotë se ka kërkuar takim tash e tre muaj një takim me drejtuesit e komunës së Prishtinës kurse zyra e Ahmetit demanton Gecajn përderisa një takim të tillë e konsideron “të panevojshëm”.

Në pamundësi të takimit me Ahmetin ose zëvendësin e tij, Dardan Sejdiu, zëvendës ministri Gecaj u takua sot në mëngjes me kryetarin e asamblesë komunale të Prishtinës, Halim Halimi.

Halimi është anëtar i LDK-së, partisë së njëjtë me Bajram Gecajn. LDK dhe Vetëvendosje kanë role të ndryshme në pushtetin lokal dhe atë qendror.

Gecaj tha se kanë menduar që për këtë çështje duhet të diskutojnë me kryetarin e komunës, Shpend Ahmeti, para se të takohen me kryesuesin por kjo gjë, sipas tij, ka qenë e pamundshme, ngase “ata nuk kanë pranuar”.

“Shpendi (Ahmeti) ka thënë që nuk ka pasë transparencë në këtë çështje. Kam kërku qe tre muaj takim me kryetarin, por janë gjetë disa arsye. Arsye objektive”, tha Gecaj.

Por, zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri tha se takimi nuk është kërkuar qe tre muaj por qe një javë.

“Nuk është e vërtetë që ka kërku takim qe 3 muaj. Ka dërguar email qe një javë. E vërteta e këtij ligji është se drafti është gati dhe projektligji ka përfunduar. Ministria po bën spektakël”, tha Tahiri.

Por, Gecaj tha se përsëri do t’i dërgojnë ftesë për takim kryetarit të Komunës, e nëse ata nuk janë të gatshëm, do të vazhdojnë takimet me pjesën tjetër politike.

E i pyetur nëse Ahmeti do të pranojë të takohet me Gecajn, zëdhënësi i komunës tha se ky është takim i panevojshëm.

“Nuk ka nevojë me u taku, takim i parëndësishëm dhe i panevojshëm”, tha Tahiri.

Në takimin Gecaj- Halimi u diskutua për fazën përfundimtare të përpilimit të draftit për ligjin për kryeqytetin.

Halim Halimi tha se ka ende shumë punë për të bërë në këtë projektligj “në çështjen e shëndetësisë, shërbimeve publike, sigurisë publike, e financa”.

Ligji për Prishtinën parashihet të ketë deri 4% buxhetit të përgjithshëm, ndërsa zëvendës ministri tha se shpreson që i njëjti të aprovohet deri në qershor të 2017 dhe të hyjë në fuqi më 2018.

“Po shpresoj që të aprovohet në qershor të 2017, e të hyjë në fuqi në 2018,” tha Gecaj.

Përplasje të njëjta ndërmjet qeverisë dhe komunës së Prishtinës ka pasur në çështjen e garancionit për kredinë e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për autobusët urbanë të kryeqytetit.