Foto-ilustrim

Liderët dhe EULEX Urojnë Gratë për 8 Mars

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se kjo është vetëm një ditë simbolike e gruas.

“Ju, nëna, gra dhe vajza jeni simbol i qytetërimit, zhvillimit dhe përjetësisë në çdo popull dhe në çdo vend. Nderimi, respekti dhe dashuria ndaj jush nuk shteron asnjëherë” u shpreh Thaçi.

Ndërsa Kryeministri Isa Mustafa tha se Kosova ua dedikon grave ekzistencën e saj .

“Respekti për ju është ndjenjë njerëzore, obligim moral, qasje institucionale dhe përcaktim shtetëror” tha Mustafa.

Misioni për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, tha se këtë vit po kremtohet me moton “Bëhu e guxhimshme për ndryshime” .

“EULEX-i tashmë e ka bërë këtë zotim për t’i përfshirë të drejtat e njeriut, si dhe perspektivën dhe standardet për çështjet gjinore në të gjitha aktivitetet e tij, qofshin ato të natyrës së brendshme apo të jashtme” thuhet në deklaratën e tyre.

EULEX thotë se që nga viti 2015, e ka krijuar rrjetin e pikave të kontaktit për çështje gjinore i cili funksionon si një mekanizëm i brendshëm për t’i identifikuar dhe adresuar çështjet ku ekziston mos barazia gjinore.

Sipas EULEX-it janë shënuar përmirësime pozitive në qasjet ndaj grave në Kosovë dhe ekzistojnë iniciativa të shumta që merren me sensibilizimin lidhur me çështjet e barazisë gjinore në shtëpi dhe në jetën publike.

“Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, zotimi ynë është ‘Bëhu e guximshme për ndryshime’, ndërsa e pranojmë që të drejtat e gruas janë të drejta të njeriut, si dhe angazhohemi për të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë” përfundon komunikata e EULEX-it.