Deputetet premtojnë më shumë angazhim në nisma për punësimin e grave

Anëtaret e Bordit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kanë premtuar më shumë angazhim gjatë këtij viti në çështjet që kanë të bëjnë me punësimin e grave në Kosovë.

Deputetet kanë kërkuar të drejta të barabarta për gratë në tregun e punës dhe më shumë hapësirë për gratë në politikë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti ka thënë se do të kenë vëmendjen e shtuar në ligjet që prekin jetesën e grave në Kosovë.

“Çdo aktivitet tonin sivjet do ta lidhim me temën e punësimit. Ne do të merremi me ligje në aspektin se si e prekin ato jetën e grave. Lejet e lehonisë do të kenë vëmendjen e shtuar kur Ligji të vjen në miratim. Sipas raportit të ASK-së, punësimi është rritur por ndërkohë edhe numri i punëkërkueseve është rritur po ashtu”- ka thënë ajo.

Sipas Kurtit, gratë nuk mund të jenë të kënaqura derisa secila grua të ketë të drejta të barabarta në punë.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha ka thënë se punësimi do të ishte i pamundur nëse gratë nuk kanë mundësi dhe qasje të barabartë edhe në arsimim.

“Sot pavarësisht që gratë janë pjesë e barabartë, kur dalin në tregun e punës, amplituda bie në anën e burrave. Synimi ynë është që edhe tek aspekti i edukimit të ketë programe që gratë të kenë mundësi të zhvillohen edhe për vete për familjen e shoqërinë”- ka thënë Hoxha.

Ndërsa deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku ka folur për çështjen e paragjykimit të grave që janë pjesë e politikës në Kosovë.

Ajo ka thënë se ka raste kur gratë janë të diskriminuara në Kuvend.

“Gjithmonë një grua ka diskriminim karshi një burri. Këtë e ka dëshmuar përvoja jonë në politikë. Fatkeqësisht jemi ende me mentalitet partiarkal. Kanë qenë stresuese kronikat në mediat tona sesi familjet kosovare kërkojmë djalë në shtëpi. Gratë janë të diskriminuara edhe në Kuvend. Unë prej këtu ju bëj thirrje që t`u japin hapësirë grave. Fatkeqësisht nuk kemi asnjë kryetare të qyteteve grua”- ka thënë ajo.

Sipas deputetes së AAK-së, Albana Bytyçi, përqindja e bizneseve që udhëhiqen nga gratë vazhdon të mbetet minore.

Ajo ka thënë se duhet të rriten subvencionet për gratë në biznes.

“Ne si grup i grave deputete në vazhdimësi kemi pasur angazhime në politika të çështjeve që lidhen me gratë. Ende në sektorin publik nuk shihet përfaqësim i barabartë gjinor. Përqindja e bizneseve që udhëhiqen nga gratë vazhdon të mbetet minore. Gratë duhet të jenë të pavarura financiarisht. Inkurajoj të gjitha gratë të mos ndalen për të arritur qëllimet për të drejtat e tyre”- ka thënë ajo.

Në Kosovë edhe për këtë 8 mars, njëjtë si viteve të kaluara në Ditën ndëkombëtare të Gruas është marshuar në rrugët e kryeqytetit për të drejtat e grave.