Foto: Kallxo.com

LDK feston 29 vjetorin e themelimit të Forumit të Gruas

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur një ceremoni për shënimin e 29 vjetorit të themelimit të Forumit të Gruas dhe Forumit Rinor të LDK-së.

Në këtë ceremoni ishin pjesë edhe deputetë dhe ish-deputetë të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, si dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Kryetari Mustafa gjatë fjalimit të tij tha se Forumi i Gruas i ka dhënë një fuqi të madhe Lidhjes Demokratike gjatë gjithë këtyre viteve.

“Vetë fakti që ne po i mbushim 29 vjet me një LDK shumë të fortë, e cila sot vlerësohet që është e para në të gjitha matjet, dhe se LDK-ja ka një anëtarësi të mrekullueshme, ka një forum të gruas që është mbajtë më mënyrë të mrekullueshme dhe i ka dhënë një fuqi të madhe Lidhjes Demokratike. Edhe forumi rinor është një organizatë e domosdoshme dhe po ashtu shumë e çmuar për Lidhjen Demokratike dhe kështu kemi arritur që të marrim një baraspeshë jo vetëm të moshave dhe gjinive por të trajtimit të problemeve”, ka deklaruar Mustafa.

Ndërsa kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Lirije Kajtazi, ka thënë se Kosova ecë përpara kur ecë Lidhja Demokratike dhe zhvillimi bashkë me të.

“Për 29 vite rradhazi si lëvizje për liri dhe emancipim të gruas jemi edhe sot duke i ndejtur përballë gjitha sfidave të cilat dikur na vinin si pasojë e një sistemi të egër i cili nuk ishte i yni, por fat të keq sfidat vazhdojnë tutje edhe  në sistemet të cilat i quajmë qeveri tona. Natyrisht se do të jemi bashkë për të parë rrugë tjera të fuqizimit të gruas dhe të fuqizimi të rinisë, na mbetet që me një edukim të mirëfilltë në familje ta kemi një qytetar të përgatitur”, ka deklaruar Kajtazi.  

Në këtë ceremoni, kryetari Mustafa foli edhe për zgjedhje të reja në vend, duke thënë se janë shumë afër dhe se qëllimi i LDK-së është që të qeverisë vendin e jo të mbetet në opozitë.