Foto: UNDP

Lansohet projekti për qasjen në drejtësi dhe reformës së sundimit të ligjit

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) lansoi sot projektin Përmirësimi i Qasjes në Drejtësi dhe Reformës së Sundimit të Ligjit në një tryezë të rumbullakët ku u diskutua edhe Ligji për Ndërmjetësimin.

Projekti, që financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë përmes Ambasadës Mbretërore të Norvegjisë në Kosovë dhe është përgatitur në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës ka për qëllim të mbështesë: reformën në sektorin e drejtësisë, qasjen e përmirësuar në drejtësi, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për grupet e cenuara, pakicat, gratë dhe femijët, institucionet e drejtësisë në zbatimin më efikas të mandatit dhe zvogëlimin e pabarazisë gjinore brenda procesit të drejtësisë.

Diskutimi, në të cilin morën pjesë më shumë se 50 gjyqtarë dhe prokurorë nga të gjitha degët e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, përfshirë edhe komunat në veri të Kosovës, dhe nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, u përqëndrua në zbatimin e Ligjit për Ndërmjetësim si dhe Kodit të Drejtësisë për të Mitur (përkitazi me ndërmjetësimin).

Gjithashtu u diskutuan ndryshimet kryesore dhe nevojat, si një mekanizëm alternativ për zgjidhjen e rasteve për të ndihmuar gjykatat dhe prokuroritë, në zvogëlimin e lëndëve dhe për të përmirësuar qasjen në drejtësi. Ligji, për herë të parë, parasheh sistemin e ndërmjetësimit brenda gjykatës.

Në ngjarje morën pjesë dhe iu drejtuan të pranishmëve Alessandra Roccasalvo, u.d. Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, Sh.T Strand Sjaastad, Ambasador i Norvegjisë në Kosovë, Nehat Idrizi, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës,  Bahri Hyseni, Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Nikola Kabašić, Kryetar i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Shyqyri Syla, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.