Kuvendi i Kosovës

Kuvendi zhvillon debat për të drejtat e pensionistëve kontributëdhënës

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën plenare, në të cilën është duke u zhvilluar debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Teuta Haxhiu, në lidhje me të drejtat e pensionistëve kontributëdhënës.

Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti tha se për shkak të mungesës së kuorumit për vendimmarrje, seanca do të vazhdojë nga pika 9 e rendit të ditës, përkatësisht debati parlamentar.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu tha se  kërkesën për këtë debat e ka bërë në muajin tetor të vitit të kaluar.

“Megjithatë konsideroj se kjo temë është me rëndësi dhe është mirë që secili prej deputetëve të japin kontributin në mënyrë që në fund të dalim me disa pika të një rezolutë që do t’i harmonizonim”, theksoi ajo.

Haxhiu shtoi se pensionistët kontributdhënës vazhdojnë të kërkojnë nga autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare kthimin e Fondit Pensional të Kosovës, i cili sipas saj për më shumë se 19 vjet në mënyrë jo ligjore mbahet në Serbi.

“Janë 26 vite, që rrjedhimisht 26 gjeneratave që nuk u njohim këtë të drejtë. Propozoj që periudha prej 15 vitesh, të ndryshohet në dhjetë vite ose të hiqet komplet”, shtoi deputetja.

Haxhiu prezantoi edhe pikat që do të mund t’i përmbajë rezoluta pas debatit parlamentar: “1. Të ndryshohet paragrafi 2/3 i nenit 6 i Udhëzimit Administrativ 9/2015 të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale nga 15 vjet në 10 vjet; 2. Të njoftohen të gjithë pensionistët të cilët nuk i plotësojnë kushtet me udhëzimin e mëparshëm për shkak të paragrafit 2/3 nenit 6; 3. Të obligohet Qeveria e Kosovës që t’ia jap pensionin kontributdhënës të gjithëve që kanë punuar 10 apo më shumë vite bilë më mirë është që të mos ketë fare vite për një periudhë kohore”.

Kurse, Flora Brovina në emër të PDK-së tha se Kosovës i mungon fondi i pensioneve.

“Vërtetë Kosovës i mungon fondi i pensioneve për dallim prej republikave të tjera të ish Jugosllavisë. Me fondin janë vjedh edhe të dhënat statistikore për vitet e punës”, tha Brovina.

Ndërkaq, Arban Abrashi në emër të LDK-së tha se do ta mirëpresin çfarëdolloj iniciative që pensionistët kontribut dhënës të kenë pagë meritore.

“Ne përkrahim iniciativa të tilla që përkrahin pensionistët me ide propozime se si të përmirësohet kjo punë. Tek çështja e pensioneve kontribut dhënëse ne kemi fillu reformën e parë”, tha Abrashi.

Deputeti Sami Kurteshi nga LVV tha se janë të interesuar që kjo çështje të rregullohet.

“LVV është e interesuar dhe do të bëjë përpjekje që çdo kufizim që nuk është i ligjshëm sa i përket pensioneve dhe periudhës që nuk njihet dhe është heq në mënyrë arbitrare, të hiqet nga ligji që kufizon të drejtat e garantuara me kushtetutë. Do të përkrahim çdo përpjekje që e trajton këtë çështje drejtë duke i heq gjitha kufizimet”, tha Kurteshi.

Ndërsa, Ahmeti Isufi nga AAK tha se çështja e pensionistëve kontributdhënës nuk është zgjidhur edhe pse kanë kaluar 20 vjet.

“Kushti i parë në bisedime me Serbinë është dashtë të jetë kthimi i fondeve jo vetëm te pensionistët kontribut dhënës por edhe i qytetarëve që kanë pas kursime në banka që janë grabitur dhe dëmet tjera që i ka shkaktu Serbia”, tha Isufi.

Isufi tha se duhet të krijohet si duhet baza ligjore për këtë çështje.

“Është obligim i yni që gjeneratave që kanë kontribu t’ua kthejmë një nder dhe respekt duke i pas parasysh si kontributdhënës që kanë ndikuar në ndryshimin e jetës sonë. Ne e përkrahim dhe do të kontribuojmë në ndryshimin e skemës sociale”, tha Isufi.

Edhe Enver Hoti nga Nisma Socialdemokrate tha se një e padrejtë e madhe ju ka bërë kontribut paguesve.

“Çdo kufizim është i padrejtë për ata që kanë dhënë kontribut në skemën pensionale”, tha Hoti.