Takimi Haradinaj- Thaçi | Foto: ZKM

Kushtetuesja vendos kundër kërkesës së presidentit për çështjen e bartjes së pronave

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e konfliktit të kompetencës mes tij dhe Qeverisë në lidhje me ligjshmërinë e bartjes nga ana e Qeverisë të disa pronave shoqërore në shfrytëzim të komunave.

Ai ka kërkuar sqarim nga Kushtetuesja në lidhje me pyetjet se a duhet Qeveria t’i anulojë vendimet për bartjen e pronës së paluajtshme të Republikës së Kosovës për shfrytëzim te komunat dhe a duhet që Qeveria t’i rishikojë të gjitha këto vendime.

Në bazë të kërkesës së presidentit, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se në rastin konkret, presidenti nuk e ka dëshmuar mjaftueshëm që çështja e ngritur ndërlidhet me kompetencat e tij të parapara me Kushtetutë.

Duke e pasur parasysh se presidenti nuk ka dëshmuar se rasti konkret lidhet me kompetencat e tij, Kushtetuesja nuk e shqyrtoi tutje rastin andaj kërkesën e presidentit për konflikt të pretenduar në mes të kompetencave kushtetuese të tij dhe Qeverisë e shpalli të papranueshme për shqyrtim në merita.

Këtu mund ta gjeni aktvendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese.