Kurti: Mirë që Nuk po Qeverisim me Këto Probleme

Megjithëse kishin luftuar në vazhdimësi për të udhëhequr me Kosovën, udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje po ndjehet mirë që në këto momente kjo parti është në opozitë.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Albin Kurti tha do të ndihej keq nëse Vetëvendosja do të ishte në pushtet gjatë kësaj kohe të krizës që po kalojnë.

“Së pari është e domosdoshme që kjo reformë organizative dhe demokratizimi i thellë i Lëvizjes Vetëvendosje të ngjajë. Ne nuk do të vijmë në qeverisje nesër, kemi marrë shumë mësime prej përvojës së fundit. Unë më shumë do të frikësohesha nëse me këto probleme do të ishim në qeveri ndoshta, atëherë do të mund të humbiste shpresa. Kjo na ka ndodhur neve sa ishim në opozitë”, tha Kurti.

Vetëm në muajin e fundit, Lëvizja Vetëvendosje është përballur me dhjetëra dorëheqje nga strukturat e partisë si dhe nga organizata në tërësi.

Përballë Jeta Xharrës, Kurti kritikoi diskutimet publike që janë bërë lidhur me problemet e brendshme të partisë.

“Ajo çfarë dua të them është që nuk ka kuptim që pa i diskutuar gjërat organizative, logjistike, të komunikimit, në organet e Vetëvendosjes, të diskutohen nëpër studio televizive. Prandaj për mua ka qenë e pamundur të bëjë një shkelje të tillë që para dy vite e gjysmë të filloj ti diskutoj këto jashtë”, tha Kurti.

Në këtë intervistë, Kurti flet  edhe lidhur me pakënaqësitë e shfaqura brenda partisë që e udhëheq si dhe adreson sharjet, dorëheqjet dhe linçimet të cilat janë bërë diskutime publike nga kjo parti që nga fundi i vitit të kaluar.

KALLXO.com kishte përmbledhur në një analizë disa nga të dorëhequrit nga Lëvizja Vetëvendosje.

http://kallxo.com/gjnk/fijet-e-keputura-te-kryesise-se-vv-se/

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: