Albin Kurti - Foto: Facebook

Kurti: Arrestimi i Djeshëm Është Bërë 10 Vjet me Vonesë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar ngjarjet e djeshme në veri të Kosovës, të cilat rezultuan me arrestimin e më pas deportimin e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

Në një konferencë për media, Kurti tha se arrestimi i djeshëm është bërë 10 vjet me vonesë.

“Policia e Kosovës ka aftësi profesionale për t’u përballur me praninë e Serbisë por regjimi nuk ka vullnet”, tha Kurti, duke shtuar se ajo çfarë u bë dje nuk ka të bëjë me sundim të ligjit.

Sipas Kurtit, Marko Gjuriq nuk është dashur të akuzohet vetëm për kalim ilegal të kufirit por edhe për cenim të integritetit territorial të Kosovës.

Po ashtu, kreu i Vetëvendosjes kishte pikëpyetje rreth strategjisë së përdorur në këtë aksion.

“Ne nuk e dimë nëse kishte strategji shtetërore për aksionin e djeshëm. Ne nuk e dimë nëse ka strategji pas aksionit të djeshëm”, tha ai.