Ismajl Kurteshi - Foto: Facebook

Kurteshit Nuk i Pëlqen Mënyra e Dorëheqjes së Ymerit

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka komentuar dorëheqjen e Visar Ymerit nga pozita e kryetarit të VV-së dhe të gjitha funksioneve partiake.

Sipas Kurteshit, dorëheqja e Ymerit e zuri në befasi lëvizjen pasi nuk u diskutua paraprakisht.

Ai tha se për këtë dorëheqje njoftimi u kishte shkuar me e-mail një orë para konferencës për shtyp të tashmë ish-kryetarit.

“Është e vërtetë se së bashku, si Lëvizje, kemi arritur sukseset që përmendi z. Ymeri, dhe për këtë i jam mirënjohës, ashtu si të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, por nuk mund të pajtohem me rrugën që e ka zgjedhur Visari. Lëvizja i ka dokumentet (Statutin) dhe strukturat që përherë ofrojnë rrugëdalje”, tha Kurteshi.

Ai po ashtu theksoi se Lëvizja Vetëvendosje do ta tejkalojë këtë dorëheqje ‘me pjekuri’.

“Lëvizja do të vazhdojë të trajtojë me diskutime të hapura brenda organeve vendimmarrëse gjithçka që është në kompetencat e saj, sipas parimeve të demokracisë së brendshme.Por më shumë se kaq, është koha të vazhdojmë me energji e vullnet përpjekjen tonë të përbashkët politike e historike, për përparim shoqëror e emancipim kombëtar”, shkroi ai në Facebook.

Sot, përmes një konference të jashtëzakonshme për shtyp, Visar Ymeri njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga pozitat që i kishte brenda kësaj partie.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje është zhytur në një krizë të thellë që nga dita e publikimit në media të një bisede në “Viber” mes zyrtarëve të kësaj partie, me ç’rast ishte ofenduar një prej themeluesve të Lëvizjes, Albin Kurti.

Pas publikimit të kësaj bisede, nga të gjitha funksionet në parti kishte dhënë dorëheqje deputetja Aida Dërguti, autorja e shprehjes ofenduese në adresë të Kurtit.

http://kallxo.com/biseda-ne-viber-qe-mund-ta-ndaje-vetevendosjen/

Pas këtyre zhvillimeve është mbledhur Këshilli i Përgjithshëm i partisë, ku është marrë vendim për fillimin e përgatitjeve për zgjedhjen e kryetarit pasi mandati i Visar Ymerit skadonte në muajin shkurt 2018.

http://kallxo.com/hyseni-ne-vv-ka-mospajtime-por-jo-carje/