Kurti tregon arsyet e dorëheqjes së ministrit Mehaj
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka njoftuar se ka pranuar dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Kurti ka thënë se Mehaj ka dhënë dorëheqje për shkaqe familjare.
“Sot, me kërkesë të ministrit të mbrojtjes, Armend Mehaj, kam pranuar dorëheqjen e tij. Kërkesa për lirim nga detyra vjen për shkaqe familjare. Ministrin Mehaj e falënderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës”- ka shkruar ai.
Drejtimin e MM-së në do të marrë Ejup Maqedonci i cili deri para pensionimit kishte qenë kolonel në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Ministër të ri të mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione tjera. Ministrit Maqedonci i uroj punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë”- ka shkruar ai.
Mehaj edhe vet ka konfirmuar sot për KALLXO.com se ka dhënë dorëheqje.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka konfirmuar për KALLXO.com se ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i Ministrisë.
Mehaj nuk ka treguar arsyet e dorëheqjes së tij nga kjo pozitë.
Mehaj ishte emëruar si ministër në këtë pozitë në vitin 2021 kur ‘Qeveria Kurti 2’ kishte filluar mandatin.
Para Mehajt Ministër i Mbrojtjes ka qenë Anton Quni nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Para se ta merrte pozitën e kreut të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, Mehaj ka jetuar dhe punuar në Norvegji.
Mehaj nuk është ministri i parë që ndanë rrugët me ‘Qeverinë Kurti 2’.
Pozitën e ministrit në këtë qeveri më 6 tetor të vitit 2022 e pati dorëzuar edhe ish ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, i cili kishte ardhur nga SHBA për ta përmirësuar shëndetësinë kosovare.
Latifi ishte emëruar në krye të Ministrisë së Shëndetësisë më 16 nëntor të vitit 2021, pas dorëheqjes së Arben Vitisë për të marrë pjesë në zgjedhjet si kandidat për kryetar të Prishtinës.
Vitia ishte kthyer në krye të MSH-së, pas dorëheqjes së Latifit.
E pak ditë pas dorëheqjes së Latifit, më 31 tetor, dorëheqjen e saj e kishte ofruar edhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala.
Më 24 nëntor 2022, rrugët me Ministrinë e Arsimit i kishte ndarë zëvendësministri Dukagjin Pupovci.Më 1 gusht të këtij viti, edhe zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.