Kujtimi i marshit të grave të vitit 1998 | Foto: Atdhe Mulla

Kujtohet Protesta e Harruar e Grave për Drenicën

Një grup studentesh të Universitetit të Prishtinës u rikujtuan sot kalimtarëve në Sheshin “Nëna Terezë” marshin që gratë e Kosovës kishin bërë me nga një bukë në dorë në përpjekje për të arritur këmbë në rajonin e Drenicës.

Në atë kohë rreth 12 mijë gra kishin marshuar për rreth një orë e gjysmë për të arritur deri në Fushë-Kosovë ku ishin ndaluar nga policia serbe.

Nën organizimin e Grupit për Studime Gjinore dhe Hulumtim të Universitetit të Prishtinës dhe organizatës gjermane “ForumZFD”, u bë prezantimi i aktivizmit paqësor të grave gjatë viteve 90-ta.

Linda Gusia, profesoreshë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës prezantoi të dhëna mbi protestat  dhe aktivitetet e organizuara nga gratë, në veçanti ato të muajit mars të vitit 1998.

Sipas saj, protestat feministe të asaj kohe kanë qenë të shkrira edhe me protestën politike për çlirim të Kosovës nga okupimi serb.

“Në përgjithësi rezistenca paqësore e atyre viteve [1990-1999] nuk është shumë e reprezentuar për shkak se konsiderohet se nuk ka qenë e suksesshme. Megjithatë, unë mendoj se ka qenë tejet e rëndësishme”, tha Gusia.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Gusia, ndër aktivitetet më të theksuara të marsit 1998 përveç protestës me bukë ,ishin protesta me qirinj para Zyrës Informative të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 1 mars dhe protesta me moton “Nuk Festojmë” me fleta të bardha tek i njëjti institucion më 8 mars.

Gusia foli edhe për dallimet mes aktivizmit të grave në vitet ’90 në raport me këtë të tashmin. Tha se është vërejtur një shpërndarje më e madhe e aktivitetit të grave në aspektin territorial dhe një aktivizëm edhe në mungesë të fondeve.