Si i kanë përjetuar ngjarjet dhe pamjet e luftës korrespondentët në Kosovë?

Raportimi i korrespondentëve të Kosovës dhe bashkëpunimi i tyre me mediat ndërkombëtare gjatë kohës së luftës në Kosovë përpos që ka qenë i rrezikshëm ka sjellë edhe ndjenjën “e fajit” te korrespodentët vendas.

Në emisionin “Kallxo Përnime” në debatin për raportimin në kohë lufte, Linda Gusia, ish-hulumtuese për Washington Post, Safet Gashi, ish-producent për ITN, Belma Bajrami, ish-producente për BBC, kanë rrëfyer ngjarjet që ata përjetuan gjatë viteve 1998-1999.

Jeta në Prishtinë e jeta në zonën e Drenicës për ta ka qenë si dy botë të ndryshme.

Belma Bajrami ka treguar se për t’u ballafaquar me ngjarjet dhe pamjet e luftës asaj i ka ndihmuar këshilla e një kameramani të BBC-së.

“E patëm pa një masakër shumë të rëndë, edhe unë e ktheva kryet se nuk mujsha me këqyr ma. I thash kameramanit qysh po mundesh me këqyr, ai më tha se e ka mësu veten që çka sheh përmes kamerës me e pa si film”, ka thënë ajo.

Bajrami ka treguar se kjo këshillë i ka ndihmuar në pjesën tjetër të punës.

Kurse, korrespondentja Linda Gusia nuk e ka pasur një këshillë të tillë për ta ndihmuar atë.

Ajo ka treguar se në momentet kur është kthyer në Prishtinë ka filluar që të ndjehet në faj.

Kjo, sipas saj, ka ardhur sepse e ka ndjerë që ka rrezikuar jetën e ushtarëve e të tjerëve me të cilët  ka folur për të kryer punën e saj e në fund ajo është kthyer në shtëpi.

“Ka qenë gjithmonë një ndjenjë e fajit, se ti ke fol, i ke rreziku njerëzit duke dashtë më të ndihmu, pastaj ke hipë në kerr, ke shku në shtëpi e të ka pritë nana”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, Safet Gashi ka rrëfyer disa kujtime të tija nga lufta.

“Ne kemi qenë dëshmitarë të pasojave të masakrave”, ka thënë Gashi.

Ai ka treguar se kthimi nga zonat e luftës  në Prishtinë ka qenë e rëndë për pjesën psikologjike.

“Ka qenë punë shumë e zorshme për me përbi”, ka thënë ai.