Kryeministri iu premton zgjidhje për rrugë banorëve të Ferizajit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme ka vizituar vendin ku po mbahej protesta e organizuar nga banorët e fshatrave Bablak, Lubovc, Tërn, Koshare dhe Slivovë të Komunës së Ferizajt, me të cilët bashkëbisedoi për t’i dhënë zgjidhje kërkesës së tyre për ndërtimin e rrugës që i lidh fshatrat e tyre me magjistralen e Ferizajt dhe atë të Shtimes.

Protesta ishte organizuar edhe nga deputeti nga ky qytet Labinot Tahiri.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast premtoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që t’u krijojë lehtësira të gjithë banorëve të këtyre fshatrave dhe qasje në rrugët magjistrale.

“Po punojmë që të gjendet një mënyrë sa më e shpejtë për të kaluar të gjitha etapat që kanë mbetur. Ne nuk ndërhyjmë në punën e institucioneve të pavarura, por besoj se të gjithë janë të vetëdijshëm që të hiqen pengesat për të filluar me ndërtimin e rrugës”, tha kryeministri Haradinaj.