Mbledhja e komisionit | Foto: KALLXO.com

Kritikohet në Komision Ministria e Tregtisë

Raporti i punës së Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për periudhën janar-gusht 2016 i paraqitur në Komisionin për Zhvillim Ekonomik nga ministrja Hykmete Bajrami, u kritikua nga anëtarë të tij.

Bajrami tha në komision se janë eliminuar barrierat me Shqipërinë.

“Gjatë kësaj periudhe kemi zgjidhur të gjitha barrierat dhe çështjet tregtare që i kemi pasur me Shqipërinë dhe për herë të parë Kosova është në gjendje të eksportojë produkte farmaceutike në Shqipëri, janë zgjidhur edhe barrierat tjera si ato të grurit, patates, rrushit dhe këtë vit nuk kemi pasur më barriera,” tha Bajrami.

Ajo e konsideroi sukses të ministrisë edhe njohjen reciproke të certifikatave ADR për mjetet që bartin materiale të rrezikshme mes Kosovës e Serbisë.

“Me Serbinë kemi vendosur masa reciprociteti për e njohjen e certifikatave të ADR-së dhe reciprociteti është larguar pas një muaji pasi është bërë njohja e këtyre certifikatave,” tha Bajrami.

Kosova në mars të këtij viti ndaloi hyrjen e maunave me gaz dhe naftë nga Serbia pasi ky shtet nuk njihte certifikatat ADR të Kosovës.

http://kallxo.com/humbjet-e-kosoves-nga-maunat-e-padoganuara/

Ministrja tha se ka shtim të numrit të bizneseve gjatë kësaj periudhe.

“Këtë vit janë 10.4 % më shumë biznese të reja krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, gjithashtu ka rritje të numrit të bizneseve me pronare femra për 31%, përderisa ka rritje edhe të bizneseve me pronarë të huaj për  36%, ndërsa investimet e huaja direkte për periudhën janar-gusht kapin shumën prej 122.6 milionë euro,” tha ministrja Bajrami.

Deputeti i “Vetëvendosjes” Glauk Konjufca e kritikoi ministren se nuk po bën asgjë për ndryshimin e trendëve negativë.

“Ju nuk keni arritur aspak me ndryshu këtë kurs negativ në të cilin ndodhet Kosova, pra problemi ma i madh është deficiti tregtar. Një gjendje ekonomike nuk ka ndryshu prej vitit 2001, kurse Qeveria e juaj ka ardhur me premtim se ka me ndryshu këtë kurs, por unë se kam parë asnjë indikacion se këta parametra kanë ndryshu, edhe 50 vjet nëse e udhëhiqni Kosovën ky deficit ka me vazhdu kështu,” tha Glauk Konjufca.

Ai kritikoi raportin se nuk e ka përfshirë dështimin e privatizimit të Brezovicës në të dhe ndikimet e Serbisë në këtë proces, duke përmendur që Serbia i ka shkruar letër negative investitorit në Brezovicë.

Duke iu përgjigjur Konjufcës, ministrja Bajrami dha një arsye tjetër për dështimin  privatizimit të Brezovicës.

“Sa i përket projektit të Brezovicës ajo ka dështu, të gjithë e dini për shkak të mospërmbushjes së ofertës financiare, e jo për çështje politike, ne s’mund ta ndalim askënd me dërgu letra, ne do të mundohemi të bashkëpunojmë me investitorë që e njohin sovranitetin tonë,” tha Bajrami.

Besim beqar e kritikoi raportin e punës së ministrisë ngase atrij iu duk shumë teknik.

“MTI nuk ka bërë raport për çka është e thirrur, sepse këto të dhëna nuk e pasqyrojnë tregtinë dhe industrinë, unë kam pritur që në raport të kemi trendët e tregtisë, cilat eksporte janë zvogëlu, si janë duke performuar investimet e huaja direkte ju na keni dhënë vetëm shifra,” tha Beqaj.

Në mbledhje u diskutuan edhe një varg çështjesh e problemesh ekonomike që nuk lidhen vetëm me Ministrinë e Tregtisë, por disa ministri.