Krerët shtetëror në takim me Mitchell, marrin mbështetjen e SHBA-ve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot bashkë me Presidentin Hashim Thaçi kanë takuar Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell, me të cilin biseduan për aktualitetin politik në Kosovë dhe rajon.

Sipas një komunikate për medie, në këtë takim është biseduar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, avancimin e agjendës euroatlantike të Kosovës, procesin e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës si dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi ka falënderuar ndihmës-sekretarin Mitchell për mbështetjen e palëkundur të SHBA-së që ka dhënë për shtetin dhe popullin e Kosovës në të gjitha periudhat, nga liria, te shtetndërtimi dhe tani forcimi i perspektivës euroatlantike.

“SHBA-ja është aleati ynë i përjetshëm. Të gjitha proceset i kemi projektuar dhe finalizuar së bashku. Prandaj, ne asnjëherë nuk do të largohemi nga kjo rrugë. Do të ecim së bashku drejt sfidave të reja që na presin”, ka theksuar Thaçi.

Duke folur për fazën e fundit të dialogut, Thaçi ka theksuar se mbështetja amerikane në këtë proces është jetik, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme.

Nga ana tjetër, sipas komunikatës nga presidenca ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell ka siguruar presidentin e Kosovës se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e gjithmbarshme për Kosovën.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka falënderuar Mitchell për kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës dhe në shumë fusha tjera me rëndësi, me theks zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit.

“Miqësia dhe partneriteti strategjik me ShBA-të janë të pazëvendësueshme. Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike dhe për këtë roli i ShBA-ve, është i rëndësisë së veçantë”, tha kryeministri Haradinaj, duke kërkuar mbështetjen amerikane në procesin e transformimit të FSK-së në Ushtri.

Në takim, është biseduar edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin kryeministri Haradinaj tha se Kosova është për dialog dhe për përmbylljen e këtij procesi përmes arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht obliguese për të dyja vendet dhe me njohje reciproke.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministër i Jashtëm Behgjet Pacolli dhe Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku.