KOSTT fiton njohje ndërkombëtare

Kryeshefi Ekzekutiv në KOSTT, lir Shala sot ka thënë se Operatori i Sistemit të Transmetimit (KOSTT) do të fillojë të operojë si Bllok Rregullues i pavarur në Evropën Kontinentale.

Ai ka shkruar në Facebook se në mbledhjen e Grupit Regjional të Evropës Kontinentale(ENTSO-E), e cila u mbajtë në Gjermani, të gjithë përfaqësuesit e OST (Operatoret e Sistemit Transmetues), përveç atyre të Greqisë dhe Spanjës, që abstenuan dhe i Serbisë, që votoi kundër, të tjerët votuan pro zhbllokimit të procesit dhe bërjes së KOSTT-it ‘Zone/Bllok Rregullues i pavarur brenda Evropës Kontinentale’.

Sipas Shalës, kjo do të bëhet e mundur në një datë të përshtatshme ne mes datës së propozuar nga Kosova dhe asaj të grupit punues të ENTSO-E.

“Kjo do të realizohet përmes një Marrëveshje të re të Kyçjes me ENTSO-E, që do të përmbajë: – Freskimin e Katalogut të Masave sipas rekomandimeve të KOSTT PG; – Zëvendësimin e të gjitha referencave të Doracakut të Operimit të Marrëveshjes Shumëpalëshe (MLA OH) me referencat e SAFA-s (Marrëveshja Kornize e Zonës Sinkrone); – Nenin 16.1.b, në Marrëveshjen Ekzistuese të Kyçjes të vitit 2015, që ka të bëjë me regjistrimin dhe licencimin e furnizuesit Elektrosever (furnizues serb për energji elektrike për pjesën veriore të Kosovës, i paraparë të operojë sipas kornizës ligjore dhe rregullative të Republikës së Kosovës, konform Marrëveshjes për Energji 2013), Marrëveshja e re e Kyçjes me ENTSO-E, do ta heq apo ta kushtëzojë me implementim me afat kohor dhe atë jo më larg se 14.04.2020.”, ka shkruar ai.

Tutje Shala ka sqaruar se ky vendim i RGCE, ishte kundërshtuar nga Serbia, e cila kishte bërë kërkesë për rishikim të këtij vendimi, kërkesë kjo e cila është refuzuar nga anëtarët e EGCE-së.

“Pra, kjo është një fitore e radhës më e madhja, që është rezultat i punës së palodhshme profesionale ekipore dhe angazhimit maksimal të KOSTT-it në sensibilizimin e situatës dhe gjetjen e përkrahjes tek OST-te Evropiane, duke prezantuar realitetin dhe të drejtën tonë për të operuar, të pavarur me Sistemin Transmetues të Energjisë Elektrike, në tërë territorin e Republikës së Kosovës.”, ka thënë kryeshefi i KOSTT-it.

Rreth këtij lajmi, ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se ky është një lajm i mirë për Kosovën, meqenëse Operatori i Sistemit të Transmetimit tashmë njihet si operator i pavarur.

“Përkundër marrëveshjes me Serbinë në dialogun e lehtësuar nga BE, ata kurrë nuk e zbatuan dhe paraqitën pengesa që sfiduan sigurinë e energjisë në Kosovë dhe në rajon”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

https://kallxo.com/haradinaj-pavaresia-energjetike-e-kosoves-po-permbyllet/