Glauk Konjufca - Foto: Ilustrim

Konjufcës i Vazhdohet Arresti Shtëpiak

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e arrestit shtëpiak ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Në një komunikatë, Apeli thekson se është refuzuar si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të pandehurit G.K. kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 07.09.2016.

“Sipas këtij aktvendimi të pandehurit në fjalë i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak, prej një muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, dhe veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e Gjykatës sëApelit.

Apeli vlerëson se gjykata e shkallës se parë ka vepruar drejt kur  të pandehurit ia ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak, me qëllim të parandalimit të përsëritjes se veprës penale dhe vazhdimit me sukses të procedurës penale.

Në një reagim të saj në rrjetin social “Facebook”, Lëvizja Vetëvendosje ka dënuar këtë vendim i cili nuk ua heqë masat e ndalimit 6 aktivistëve të saj.

“Gjykatat e këtij sistemi, në të njëjtën ditë që ofendohen nga sjellja arrogante e hipokrite të shefit të shefave, anëtarit të “Prontos”, Adem Grabovcit, tregohen të fuqishme me aktivistët e VETËVENDOSJE!-s”, ka shkruar LVV në “Facebook”.

“Dinjitetin e nëpërkëmbur nga tallja e Grabovcit, gjykatësit nuk mund ta rikuperojnë me ndjekjen e aktivistëve sepse ata i kanë arrestuar padrejtësisht”, thuhet në reagimin e partisë kryesore opozitare.

Shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është arrestuar nga policia më 10 gusht pasi dyshohej se ka hedhur gaz lotsjellës gjatë mbledhjes së asaj dite të kryesisë së Kuvendit.

http://kallxo.com/arrestohet-glauk-konjufca/