Konjufca: Thaçi, Figurë Përçarëse

 

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ministrin e Jashtëm Hashim Thaçi e ka quajtur figurë përçarëse. Sipas tij, Thaçi vazhdimisht ka krijuar armiq e kundërshtarë politikë.

“Ai ka qenë njëri prej figurave më përçarëse në politikë, me një stil i cili vazhdimisht ka krijuar armiq dhe oponentë politikë, njeri me gjuhë denigruese” tha Konjufca.

Duke e cilësuar të degraduar pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, Glauk Konjufca tha se kjo nuk është rezultat vetëm i një fushate të egër të Serbisë kundër shtetit tonë, por është po ashtu tregues i një pasiviteti të diplomacisë së Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Thaçi.

Duke përmendur dështimin e Kosovës në UNESCO dhe Rezolutën 2094 të Këshillit të Evropës, zyrtari i LVV-së kritikoi ministrin e Jashtëm dhe zëvendësin e tij, Petrit Selimin, duke thënë se ata “po flenë“.