Heqja e vizave nga Izraeli, Konjufca falënderon ministrin Arbel

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Brendshme të Izraelit, Moshe Arbel, më 18.06.2024.

Në komunikatën e Kuvendit thuhet se në takim u diskutuan çështje të ndryshme të interesit të përbashkët, që përfshijnë bashkëpunimin ekonomik, marrëdhëniet diplomatike dhe kulturore, çështje të sigurisë dhe mundësitë për të forcuar edhe më tej raportet mes dy vendeve.

Ndër tjera, Konjufca e Arbel, thuhet se kanë biseduar edhe për marrëveshjen për heqjen e vizave, e cila u nënshkua sot.

“Konjufca e falënderoi ministrin izraelit, Moshe Arbel, për punën e bërë për të arritur deri te heqja e vizave nga shteti i Izraelit, për qytetarët e Republikës së Kosovës. Palët vlerësuan se kjo gjë përbën një hap shumë domethënës në zhvillimin e raporteve mes dy shteteve, si dhe është një mundësi shumë e mirë për të rritur shkëmbimet e dyanshme, ku qytetarët e dy vendeve tona do të jenë ata që do të përfitojnë më së shumti”- thuhet në komunikatë.

Ministri i Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel, siç thuhet në komunikatë, e ka falënderuar Konjufcën për pritjen dhe ka shprehur gatishmërinë “për të bërë sa më shumë hapa për rritje të bashkëpunimit, në drejtim të interesave të përbashkët”.

Kosova dhe Izraeli, më 18.06.2024, kanë nënshkruar marrëveshjen që ua mundëson shtetasve të Kosovës të lëvizin pa viza në Izrael.

Nënshkrimi i marrëveshjes në mes të dy shteteve u bë në Prishtinë nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe ministri i Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel.

Nga MPJD, njoftuan se kjo marrëveshje hyn në fuqi nga data 19 shtator 2024.

Më 01.02.2021, Izraeli e ka njohur Kosovën si shtet.