Komuna e Prizrenit: Policia nuk na ka asistuar për rrënim të objektit pa leje në ‘Abi Çarshia’

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, dhe drejtori i Inspektoratit në këtë Komunë, Islam Thaqi, në një konferencë të jashtëzakonshme për media kanë thënë se Policia e Kosovës nuk u ka ofruar asistencë për vazhdimin e rrënimeve të një pjese të qendrës tregtare “Abi Çarshia”, e cila sipas tyre nuk ka leje ndërtimi.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka thënë se ka probleme në bashkërendimin e institucioneve të cilat sipas tij, duhet ta ndihmojnë dhe asistojnë Komunën në punët e saj.

“Kemi shumë probleme dhe në shumë raste sidomos me Ministrinë e Ambientit dhe në rastin e fundit sot edhe me Policinë e Kosovës, edhe pse edhe në vitin e kaluar ka pasur raste që policia në vend që të ndihmojë Komunën e Prizrenit në impelmentimin e vendimeve ajo ka dalë në anën e atyre që kanë uzurpuar ose në anën e atyre që e kanë shkelur ligjin”, tha ai.

Sipas Haskukës, të gjitha veprimet me këtë rast janë të bazuara në ligjet në fuqi.

“Investimi në fjalë është tejkalim i lejes së dhënë dhe në atë aspekt, sipas të gjitha procedurave duhet të rrënohet. Sot policia nuk u ka ofruar asitencë inspektorëve komunalë. Nuk ka zhvillim pa sundim të ligjit”, shtoi më tej Haskuka.

Ndërkaq, drejtori i Inspektoratit në këtë Komunë, Islam Thaqi tha se ata qëndrojnë para interesave të qytetarëve të Komunës.

“Policia e Kosovës është e obliguar të na asistojë dhe të na ofrojë siguri neve si institucion e jo individëve të caktuar në këtë ngjarje”, tha Thaqi.

Kurse, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj ka thënë për KALLXO.com se gjatë ditës së sotme nuk ka pasur nevojë për asistencë të Policisë.

“Sot nuk ka pasur nevojë për asistim, është urdhri i prokuriorit kujdestar dhe i minsitrisë me u ndërpre punimet aty. Ata kanë kërkuar të ndalet rrënimi dhe Policia nuk ka pasur nevojë me iu ofru asistencë”, tha ai për KALLXO.com.

Historiku i problemit me leje në ‘Abi Çarshia’

Komuna e Prizrenit kishte nisur rrënimin e objektit në shtator të vitit të kaluar, mirëpo pronari i objektit ishte zotuar se do të bëjë vetë rrënimin e objektit me arsyetimin se duhet të ketë kujdes për mos-dëmtim të pjesës tjetër të objektit të njëjtë.

Në të njëjtin ditë, kur pronari i këtij objekti ishte pajtuar për rrënim të objektit pa leje, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë ka ndërhyrë duke e anuluar vendimin e Komunës së Prizrenit për rrënim. Ky proces i rrënimit është përcjellë me akuza për politizim të çështjes e deri tek akuzat se ‘Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka marrë vendime të jashtëligjshme’.

“Drejtoria e Urbanizmit dhe planifikimit hapësinor ka lëshuar leje të reviduar. Edhe pse me leje pas matjeve rezulton përafërsisht 35% e objektit të ndërtuar janë me tejkalim të lejes dhe në atë pjesë (zonë) ka plan të hollësishëm rregullativ ku objekti me tejkalime ka uzurpuar rrugën që është paraparë si pas planit të hollësishëm rregullativ. Më 31.07.2018 Drejtoria e Inspektoratit nxjerrë vendim për rrënim vullnetar sipas procedurave ligjore në afat 15 ditësh dhe palës i jep të drejtë që të ushtrojë ankesë”, kishte treguar Thaqi për KALLXO.com në muajin shtator.

Sipas Thaqit, pronari i objektit nuk e kishte filluar rrënimin vullnetar dhe për këtë arsye më datën 24 gusht, Drejtoria e Inspektoratit nxori vendim për ekzekutimin e rrënimit.

Ndërsa në datën e fillimit të rrënimit, pra më 27 gusht, Irfan Fusha ka dërguar ankesë në Komunë ku kërkohet shtyrja apo pezullimi i aktvendimit për rrënim. Në të njëjtën ankesë, Fusha e ka njoftuar Komunën se ka bërë ankesë edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor lidhur me këtë çështje.

Në të njëjtën ditë, pra me 17 gusht Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nxjerr vendim që e aprovon ankesën e pronarit Irfan Fusha dhe kërkona anulimin e vendimit të komunës së datës 31.07.2018 që kërkoi rrënimin vullnetar të pjesës së objektit.

Ky vendim është në një vijë me qëndrimin e investitorit.

“Organi i shkallës së dytë i MMPH-së, konstatoi se Aktvendimi me nr. 17-354-38-56-2, me datë 31.07.2008 të Drejtorisë së Inspektorateve- Komuna Prizren është i pabazë për shkak se investitori posedon leje ndërtimi. Ndërsa sipas procesverbalit nr 0004509, me datë 26.07.2018 të Drejtorisë së Inspektorateve- Komuna Prizren mbi konstatimin e gjendjes faktike në terren është konstatuar si në vijim: ndryshimet janë bërë brenda kufijve të vijës rregullative, ndërtimore, urban”, thuhej në vendimin e ministrisë.

Ministria i ka kërkuar Komunës së Prizrenit që atë kohë të ndal procesin e rrënimit.

“Obligohet Drejtoria e Inspektorateve të mos ndërmerr asnjë veprim, ndërsa aneksi shtesë i ndërtuar pa leje në kuadër të objektit me leje të trajtohet sipas Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje”, thuhej në vendim.

Kujtojmë se sipas Drejtorit Komunal të Inspektorateve, kjo drejtori ka dërguar kallëzim penal ndaj Fushës.

“Vlen të theksohet se 05.07.2018 nga Drejtoria e Inspektorateve z.Irfan Fusha i është bërë Kallëzim Penal për heqjen apo dëmtimin të vulave apo shenjave zyrtare neni 4141 te Kodit Penal të R.Kosovës dhe për punime ndërtimore të kundër ligjshme neni 368 te kodit penal të R. Kosovës 04/L-82”, ka treguar drejtori i Inspektoratit.

https://kallxo.com/ndalimi-i-dyshimte-i-rrenimit-te-objektit-prone-e-kandidatit-te-pdk-se-per-deputet/