Komuna e Klinës Anulon Grevën për Lushtakun

Punëtorët e administratës komunale në Klinë do ta kenë sot ditë të zakonshme pune pasi një grevë e thirrur në mbështetje të kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku, është anuluar.

Njoftimi për anulimin e grevës u bë nga vetë komuna në sajtin zyrtar.

“Komuna e Klinës,  e ka anuluar grevën e paralajmëruar për ditën e hënë, ku është solidarizuar  me komunën e Skenderajt. Arsyeja e anulimit të grevës vjen, pasi që edhe vet kryetari i komunës së Skenderajt, z. Sami Lushtaku e ka ndërprerë grevën, pas kërkesës së tij të aprovuar”, thuhet në njoftim.

Lushtaku e kishte ndërprerë grevën që e kishte nisur ditë më parë, pasi që kryetari i trupit gjykues në rastin e tij e ka miratuar kërkesën e tij për trajtim të specializuar mjekësor në QKUK.

Ai kishte hyrë në grevë me pretendimin se në burgun e sigurisë së lartë në Dyz nuk e kishte trajtimin e duhur mjekësor.

Vitin e kaluar, Lushtaku është dënuar me 12 vite burgim nën akuzën për krime lufte nga një trup gjykues ndërkombëtar në Gjykatën Themelore të Mitrovicë për vrasjen e një personi të panjohur në vitin 1998 në mes të fshatit Galicë dhe Dubovc të Vushtrrisë.

Më 21 janar, komuna e Vushtrrisë kishte mbajtur gjysmë  ore grevë solidarizuese ndaj kërkesës së kryetarit të Skënderajt për t’iu lejuar trajtimi mjekësor në QKUK.

http://kallxo.com/komuna-e-vushtrrise-greve-per-gjendjen-e-lushtakut/