Komuna Akuzohet se i Asfaltoi Oborrin Zyrtarit të Saj

Gjatë diskutimit publik me qytetarët, autoritetet komunale të Pejës janë akuzuar se kanë asfaltuar oborrin e shtëpisë së zyrtarit të Prokurimit.

Albert Sutaj nga Qyshku tha së rruga deri te shtëpia e tij nuk është asfaltuar, kurse zyrtarit të prokurimit, i cili vjen nga po ky fshat, i është asfaltuar edhe oborri.

“Desha të ves se a punoni për simpatizantë të LDK-së, apo edhe për të tjerët, kur e dimë që në lagjen time e gjithë lagjja është shtruar me asfalt edhe me kanalizim e na kanë veçuar vetëm familjen time. Kemi fakte këtu se shefit të zyrës së prokurimit ju ka shtruar edhe oborri me asfalt. Tash shembull ja ku është shtëpia ime (foto)”, tha Sutaj.

KALLXO.com ka kontaktuar zyrtarin e Prokurimit, Haxhi Gashi, i cili mohoi akuzat e bashkëfshatarit të tij, duke paralajmëruar se do të ndërmarrë masa ligjore kundër tij.

Gashi tha së dy metra asfalt në oborrin e shtëpisë janë paguar nga familja e tij në kohën e asfaltimit të rrugës.

“Kjo është shpifje për të cilën jam duke përgatitur padi, sepse nuk është hera e parë që po shpifet nga ky njeri. Dy metra asfalt janë paguar nga familja ime dhe  i kemi edhe faturat e pagesës që i kemi bërë”, tha Gashi për KALLXO.com.

Ndërsa, kreu i Komunës, Gazmend Muhaxheri, gjatë debatit kur u ngrit kjo çështje tha se rruga te shtëpia e Albert Sutajt do të asfaltohet vitin e ardhshëm.

“Lagjja e “Deçanëve” Albert e dinë është kryer asfaltimi i një pjese. Kjo pjesa juaj ka qenë më larg se rruga që duhet mu bo. Besoj që vitin e ardhshëm e fusim edhe atë në projekt veç më së pari kanalizimin duhet me rregullu. E di unë atë lagje krejt”, u përgjigj Muhaxheri.

Shqetësime pati edhe nga banorët e fshatit Pavlan, të cilët kërkuan zgjidhje për çështjen e varrezave.

Gjatë diskutimit publik u paraqitën të arriturat në këtë mandat dhe projektet të cilat priten të realizohen vitin e ardhshëm.