Ministri Lekaj me biznesmenin gjerman - Foto: Facebook

Kompania Gjermane Kërkon Punëtorë nga Kosova

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj u takua sot me udhëheqësin e kompanisë gjermane “Lammers”, Andreas Lammers.

Arsyeja e takimit ishte gjetja e mundësive të depërtimit të fuqisë punëtore të Kosovës në shtetin gjerman, pasi siç e theksoi edhe Lammers, Gjermania ka nevojë për njerëz të zellshëm dhe punëtorë si kosovarët.

Duke u munduar të shërbejë si urë lidhëse në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, Lekaj përmendi anët pozitive të fuqisë punëtore të Kosovës, në njërën anë, kryerja e shërbimeve me çmim shumë të lirë dhe në anën tjetër, aktivizimi i punëtorëve të rinj të Kosovës nëpër vendet perëndimore, në këtë rast në Gjermani.

Gjatë këtij takimi, gjithashtu u fol edhe për procesin e stërzgjatur të marrjes së vizave të punës, në Ambasadën Gjermane në Kosovë.

Duke u munduar të ndërmjetësojë, në mënyrë që kjo procedurë të kryhet brenda një afati të arsyeshëm kohor, Lekaj njoftoi Lammers, se edhe kompania e tyre mund të luaj një rol të rëndësishëm sa i përket kësaj çështjeje, pasi çdo gjë që lidhet me fuqinë punëtore të Kosovës dhe me investimet në Kosovë, është edhe në interes të shtetit gjerman dhe jo vetëm kosovar.

Duke e parë Kosovën si një alternativë të mirë për investime në infrastrukturë, si dhe duke treguar interesim për marrëveshje për punësim të kosovarëve në Gjermani, Lammers shprehu respekt për punën e deri tanishme të shqiptarëve në Gjermani edhe pse sipas tij, të rinjve kosovarë u duhet edhe përgatitje profesionale.

Lekaj falënderoi drejtorin e kompanisë Lammers, për interesimin e tij, si dhe pohoi se Kosova tanimë është duke punuar në shkollimin profesional të të rinjve dhe se shteti ynë do të jetë çdoherë mikpritës për të gjitha kompanitë e huaja dhe vendore, të cilat duan të investojnë këtu./21Media