Komisioni per Legjislacion

Komisioni parlamentar kërkon shpjegime nga KGjK për shtyrjet e seancave gjyqësore

Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion dhe Mandate, ku është diskutuar kërkesa për Projektligjin për paga dhe zyrtarët publikë, anëtari i këtij Komisioni, Korab Sejdiu shtroi edhe çështjen mospërgjigjes adekuate  nga Këshilli Gjyqësor të Kosovës në kërkesën e këtij Komisioni.

“E kemi bërë para do kohe një kërkesë në Këshill Gjyqësor për arsye sepse një prej çështjeve që jemi të ngarkuar është mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve që janë në kuadër të funksionit që kryen dhe kemi kërkuar informatë sa i përket arsyeve për shtyrje të seancave dhe përgjigjen që e kemi marrë ka qenë tërësisht joadekuate, në fakt nuk na është përgjigjur fare”, tha deputeti Sejdiu.

Sipas Sejdiut, kërkesa është bërë për shkak se shtyrja e seancave është një prej problemeve kyçe që po e rrit numrin e lëndëve dhe po shkakton keqfunksionim të gjyqësorit.

Ai kërkoi që kërkesat e Komisionit të merren me prioritet të lartë.

Me vërejtjen e deputetit u pajtua edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi.

“Pajtohem me këtë vërejte që e dhatë. Sa i përket shtyrjes së seancave, vërtetë ka disa seanca që shtyhen pa ndonjë arsye të fortë, pa një bazë të fortë ligjore. Për fat të keq, shtyrjet e shpeshta ndikojnë në zvarritjen e procedurës dhe në njëfarë mënyre maltretimin e palëve që do të shkojnë disa herë ndoshta për një çështje shumë teknike. Kjo çështje sidomos vërehet në Gjykatën Themelore të Prishtinës si rajoni dhe gjykata më e madhe”, tha Nehat Idrizi.

Si arsye për këtë, kryesuesi i KGjK-së përmendi edhe faktin se një numër i madh i qytetarëve nuk e lajmërojnë ndërrimin e adresave.

“E ndërrojmë vendbanimin ndërsa nuk e lajmërojnë gjykatën ose institucionin që e ka ndërru vendbanimin. Pastaj një e metë edhe këta udhëzuesit si te udhëzuesit e gjykatës po ashtu edhe udhëzuesit e postës se shpesh kthehen fletë-dorëzimet, pala e panjohur, adresa jo e saktë”, shtoi ai.