Foto: Atdhe Mulla

Komisioni Korrigjon Gabimin, Demarkacioni Dërgohet në Seancë

Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme miratoi përmbajtjen e projektligjit për marrëveshjen për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe malit të Zi dhe ia përcjelli atë deputetëve të Kuvendit për ta votuar në seancë të jashtëzakonshme.

Në mbledhjen e përsëritur të këtij komisioni, shtatë anëtarë të Komisionit e mbështetën projektligjin e propozuar.

“Për shkak të një gabimi teknik, duhet ta përsërisim sërish votimin”, tha Vjosa Osmani, kryetare e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme.

Në mbledhjen e mëhershme, pas votimit, kryetarja e Komisionit Vjosa Osmani deklaroi se janë vetëm 5 vota dhe duhet të kërkohet interpretim ligjor nga zyra ligjore e Kuvendit të Kosovës, në pamje shihet se në fakt ishin 6 vota për.

KALLXO.com kishte kërkuar sqarime nga Osmani pas mbledhjes për gabimin në numrin e votave. Ajo e ka pranuar dhe ka paralajmëruar se në ora 12:00 do të mblidhet për të rikonfirmuar edhe njëherë votimin.