Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare

Komisioni Ballkanik i së Vërtetës pritet të fillojë punën në vitin 2022

Koalicioni që ka bërë fushatë për themelimin e Komisionit Ballkanik të së Vërtetës për luftërat e viteve 1990 tha se planifikon që trupi ndër-rajonal të fillojë punën në vitin 2022.

Koalicioni për KOMRA paraqiti një plan veprimi të mërkurën i cili deklaron se Komisioni Ballkanik i së Vërtetës duhet të formohet në vitin 2021 dhe të fillojë punën më 16 prill të vitit 2022.

“Kjo do të bëjë të mundur përfundimin e misionit të saj deri në fund të vitit 2025”, thuhet në dokumentin e udhërrëfyesit që shoqëron planin e veprimit.

Koordinatorja e Koalicionit për KOMRA, Natasha Kandiq, i tha medias në Beograd se viti 2025 është një pikë kthese potenciale për marrëdhëniet midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

“Plani i veprimit për zbatimin e strategjisë së re të Ballkanit Perëndimor në mënyrë eksplicite përmend krijimin e KOMRA-s si një masë e domosdoshme”, tha Kandiq, sipas agjencisë së lajmeve Beta.

KOMRA synon të krijojë një listë me emrat e të gjithë njerëzve të vrarë, të zhdukur, të burgosur dhe të torturuar në të gjitha konfliktet në ish-Jugosllavi.

Plani i veprimit parashikon që Serbia, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilat tashmë kanë premtuar mbështetje për KOMRA, duhet të nënshkruajnë një deklaratë për KOMRA-n në korrik të këtij viti gjatë samitit të Londrës të Procesit të Berlinit, një iniciativë diplomatike e lidhur me zgjerimin e BE-së.

Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Sllovenia duhet t’i bashkohen deklaratës deri më 10 korrik 2019, dhe hapat e nevojshëm drejt krijimit të KOMRA-s deri në qershor të vitit 2020 duhet të ndërmerren nga të gjitha vendet e përfshira, sipas planit të veprimit.

Deri në fund të majit të vitit 2021, presidentët e ish-shteteve jugosllave duhet të nënshkruajnë statutin e KOMRA-s, i cili duhet të hyjë në fuqi deri në fund të atij viti.

Themeluesja e OJQ-së kroate, ‘Documenta – Qendra për ballafaqimin me të kaluarën’, Vesna Terseliq, tha për kanalin televiziv rajonal N1 se ajo nuk e kupton mungesën e mbështetjes për nismën nga Kroacia dhe Bosnja.

“Ne kemi nevojë për mbështetje nga Kroacia, Bosnja dhe Sllovenia. Ka probleme në lidhje me çështje të thjeshta humanitare, të tilla si fati i personave të pagjetur dhe intensifikimi i bashkëpunimit në përpunimin e krimeve të luftës”, tha Terseliq.

Koalicioni për KOMRA ka filluar të mbledhë nënshkrime në mbështetje të iniciativës në vitin 2011 në të gjitha kryeqytetet e republikave të ish-Jugosllavisë, si dhe në internet.

Ajo filloi me synimin për të marrë një milion nënshkrime dhe deri më tani ka mbledhur mbi 600 mijë.