Familjarët e të pagjeturve dhe pjesëtarë të shoqatave largohen nga diskutimi, nuk duan të dëgjojnë fjalimin e Kandiqit

 

Derisa aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq po deklarohej për tryezën e diskutimit me temë “Afër dy dekada e gjysmë pas luftës, cili është fati i personave të pa gjetur?”, disa familjarë dhe pjesëtarë të shoqatave të të pa gjeturve janë larguar nga salla.

Gjatë fjalës së saj, Kandiq tregoi se për herë të parë në Kosovë ishte në vitin 2008 kur u shpall pavarësia e Kosovës.

“Në vitin 2008 isha për herë të parë kur u shpall pavarësia. Kam qenë për viktimat sepse kam parë çka ka ndodhë në Kosovë, kam pasur njohuri për vrasjet. Është e rëndësishme që të kemi një qëndrim për viktimat”, ka treguar Kandiq.

Kandiq ka thënë se ajo është hulumtuese dhe nuk është politike.

Ajo tha se ekzistojnë trupa punuese në Serbi, Kosovë dhe në OKB që trajtojnë çështjen e personave të pa gjetur.

“Ekzistojnë disa trupa punues në Serbi Kosovë OKB që trajtojnë personat e pa gjetur. Në publik nuk shihet shumë se çfarë bëjnë këta trupa. Nuk ka bashkëpunim mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kandiq.

“Kemi të bëjmë me krime masive dhe me fshehje të këtyre krimeve”, ka shtuar ajo.

Kandiq ka theksuar nevojën e formimit të një komisioni ekspertësh të cilët do të mbledhin të dhënat për të pa gjeturit.

“E them që kemi nevojë për komision ekspertësh të cilët do t`i mbledhin këto të dhëna që t`i japim besimin këtij komisioni”, tha Kandiq.

Kandiq gjithashtu tha se do të angazhohet personalisht për të formuar një komision të tillë.

“Unë personalisht do të angazhohem që të formojë një komision të tillë sepse nuk shoh ndonjë zgjidhje tjetër për zbardhjen e fatit e personave të pa gjetur”, ka deklaruar Kandiq.

Tutje ajo tha se gjykatat nuk janë marrë sa duhet me personat e zhdukur.

“Gjykatat deri tani nuk janë marrë me personat e zhdukur. E di vetëm një rast kur personi që ka qenë duke u gjykuar ka treguar për një varrezë masive”, tha Kandiq.

“Ka ardhur momenti i fundit që ne të gjejmë mekanizmat qe me anë të ekspertëve ndërkombëtar që të orvatemi që të kemi një trup që të na ndihmojë. Kjo mund të na jep informata të sakta në atë se çfarë mund të zgjedhim”, ka shtuar ajo.

Familjarë dhe pjesëtarë të shoqatave të të pagjeturve kanë kritikuar mungesën e krerëve të Kosovës pasi në agjendën e diskutimit parashihej që pjesë e tryezës të jenë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Mungesën e tyre e ka shpjeguar nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci e cila tha se agjenda nuk është përditësuar dhe se krerët nuk janë njoftuar me kohë.