Natasha Kandiq - Foto: REL

Natasha Kandiq i reagon BIA-s serbe për intervistim të gazetarit Adriatik Kelmendi

Aktivistja për të drejtat e njeriut Natasha Kandiq përmes rrjetit për pajtim KOMRA i ka reaguar shërbimit të Inteligjencës serbe, BIA për intervistim të gazetarit Adriatik Kelmendi gjatë arritjes në Serbi dhe kthimit të tij në Kosovë.

Në reagim potencohet se për disa vite, inspektorë të BIAS-s zhvillojnë biseda informative në aeroport ose arritjen në Beograd me drejtorin e televizionit Klan Kosova.

 “Disa vite pa ndërprerë secilën herë në aeroport ose në arritjen në Beograd, inspektorët e BIA-s zhvillojnë biseda informative me gazetarin Adriatik Kelmendi, avokuesin publik të pajtimit rajonal, drejtorin e televizionit Klan Kosova, me seli në Prishtinë, duke e pyetur për arsyet e ardhjes dhe qëndrimet e tij politike”, thuhet në reagim.

“Herën e fundit, BIA e ka marrë në pyetje në aeroportin „Nikola Tesla“, kur ka arritur, në datën 17.12.2021, dhe me rastin e shkuarjes në datën 19.12.2021, pas pjesëmarrjes së tij në Forumin e XIV-të për drejtësinë tranzicionale në vendet post-jugosllave, i cili është mbajtur në Beograd”, potencohet tutje në reagimin e Kandiq.

Kandiq për rrjetin KOMRA bëri të ditur se më këto sjellje BIA vërteton se është një institucion i çoroditur i cili i poshtëron qytetarët e Kosovës si në vitet ’80-ta e ’90-ta.

“Me sjelljet e këtilla, BIA vërteton se është fjala për një institucion plotësisht të çoroditur, gjysmë-privat, i cili vazhdon të sillet ndaj qytetarëve të Kosovës me dyshime dhe poshtërim të dinjitetit themelor njerëzor, si edhe në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë”, shtoi tutje Kandiq.

Për të parandaluar këto sjellje të BIA-s serbe, Kandiq thekson se do informojnë edhe liderët e dialogut Kosovë-Serbi, Parlamerntin Evropian e raportuesit e Kombeve të Bashkurara.

“Me qëllim të parandalimit të sjelljes së mëtejme të paligjshme të BIA-së, do t’i informojmë liderët e dialogut Beograd – Prishtinë nën patronatin e BE-së, PE-së, Raportuesit të KB-ve për të vërtetën, drejtësinë, reparacionet dhe mos përsëritjen, Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës dhe të Dërguarit të Veçantë të Departamentit të Shtetit për dialogun Serbi – Kosovë”, shton tutje Kandiq.