Konjufca ndaj veprimeve të shërbimit sekret serb: Ky është 'Open Balkan' që tentojnë të na shesin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar pasi shërbimi i Inteligjencës serbe, BIA, ka intervistuar gazetarin Adriatik Kelmendi gjatë arritjes në Serbi dhe kthimit të tij në Kosovë.

Kryeparlamentari e ka qujtuar të trishtë dhe e papranueshme intervistimim e gazetarit Kelmendi.

“Sot Gjykata e Apelit në Beograd e ka quajtur të ligjshëm përdorimin e termit shovinist e ofendues për shqiptarët, duke e rrëzuar padinë e ngritur ndaj ministrit të brendshëm Vulin nga Këshilli Kombëtar Shqiptar. Serbia udhëhiqet nga figura politike të cilat i mohojnë masakrat që Serbia i ka kryer në Kosovë. Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë ende u ndalohet përdorimi institucional i flamurit kombëtar edhe pse jetojnë në trojet e veta. Populli ynë atje është pakica kombëtare më e diskriminuar në Evropë”, ka shkruar Konjufca në rrjetin social “Facebook”.

Konjufca përmend faktin që dje presidenti serb Vuçiq i bëri Kosovës ftesë për pjesëmarrje në Open Ballkan e që sipas tij ‘ky është Open Balkani që po tentojnë të shesin”.

“Në anën tjetër sot është intervistuar gazetari Adriatik Kelmendi nga shërbimi sekret i Serbisë. Gjatë kohës së Milosheviqit këto i quanin ‘biseda informative’. Vërtet e trishtë dhe e papranueshme. Hiç më larg se dje Vuçiq edhe një herë na bëri ftesë për pjesëmarrje në Open Ballkan, duke shtuar se Serbia do të jetë ‘shtëpi e dytë’ për shqiptarët. Ky është Open Ballkan i 24 orëve të fundit që po tentohet të na shitet si ‘fqinjësi e mirë'”, ka shkruar Konjufca.

Aktivistja për të drejtat e njeriut Natasha Kandiq përmes rrjetit për pajtim KOMRA i ka reaguar shërbimit të Inteligjencës serbe, BIA për intervistim të gazetarit Adriatik Kelmendi gjatë arritjes në Serbi dhe kthimit të tij në Kosovë.

Në reagim potencohet se për disa vite, inspektorë të BIAS-s zhvillojnë biseda informative në aeroport ose arritjen në Beograd me drejtorin e televizionit Klan Kosova.

Disa vite pa ndërprerë secilën herë në aeroport ose në arritjen në Beograd, inspektorët e BIA-s zhvillojnë biseda informative me gazetarin Adriatik Kelmendi, avokuesin publik të pajtimit rajonal, drejtorin e televizionit Klan Kosova, me seli në Prishtinë, duke e pyetur për arsyet e ardhjes dhe qëndrimet e tij politike”, thuhet në reagim.